Ish-ministrja e Jashtme e Kosovës, Mimoza Haradinaj-Stublla ka reaguar pas dialogut të mbajtur në Bruksel nga kryeministrin Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq me ndërmjetësimin e Josep Borrell dhe Miroslav Lajçak.
Haradinaj-Stublla ka thënë se asgjë e re as nga ky takim, duke thënë se tash e disa kohë dialogu anon nga Serbia, duke toleruar shkeljet e saj, e duke kushtëzuar pafundësisht Kosovën.
Ajo tutje ka ftuar presidenten që të mbajë tryezë urgjente me të gjitha partitë politike parlamentare dhe bashkërisht të bëjnë një Rishikim Strategjik të pozicionit të Kosovës në Dialogun e ndërmjetësuar nga BE.
Postimi i plotë:
ASGJË E RE!
Dialogu i ndërmjetësuar nga Lajcak e Borrell tash e sa kohë dukshëm anon kah Serbia, duke toleruar shkeljet e saj, e duke kushtëzuar pafundësisht Kosovën.
Presidentja të ftojë urgjentisht ‘TRYEZË UNITETI’ me të gjitha partitë politike parlamentare dhe bashkërisht të bëjnë një Rishikim Strategjik të pozicionit të Kosovës në Dialogun e ndërmjetësuar nga BE. Kryeministria pastaj - të bëjë publik dhe të përfaqësojë qëndrimin e dakorduar të unitetit politik. Vetëm kështu ndihmohet Kosova nga vorbulli i rrezikshëm ku gjindet sot!
I ashtuquajturi ‘Asociacion i komunave me shumicë serbe’ i nënshkruar më 2013/2015 - pakëson dhe dobëson sovranitetin e Kosovës, dhe forcon Serbinë zyrtare në Kosovë për të mbajtur pastaj përjetësisht peng shtetin dhe qytetarët serb të Kosovës. Andaj si i tillë - do të duhej të refuzohet nga të gjithë - përfshirë partitë që e kanë nënshkruar - pa u menduar dy herë.
Dialogu ka kuptim vetëm kur udhëhiqet nga një ndërmjetësues që nuk e injoron të vërtetën.