Lekaj akuzon Kurtin për mosvigjilencë: S’ka ditur të dialogojë, e mori me lehtësi procesin

Aktuale

Lekaj akuzon Kurtin për mosvigjilencë: S’ka ditur të dialogojë, e mori me lehtësi procesin

Më: 14 shtator 2023 Në ora: 23:31
Pal Lekaj

Sot u mbajt takimi i nivelit të lartë mes Kosovës dhe Serbisë në kuadër të dialogut të lehtësuar nga Brukseli. Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq përballë përfaqësuesit të lartë të BE-së, Josep Borrell ku shpalosën propozimet e tyre për zbatimin e marrëveshjes së Ohrit dhe asaj të Brukselit.

Pas takimit disa orësh, Borrell, Kurti dhe Vuçiq – treshja u adresuan veç e veç gazetarëve ku japën deklarata mjaft të forta.

Kurti, në adresimin e tij para mediave tha që ishte i vetmi që ka dhënë propozime në tavolinë ndërsa kritikoi emisarin e BE-së, Miroslav Lajçak për anshmëri ndaj palës serbe.

Kritik ndaj çasjes së Kurtit u shpreh deputeti i AAK-së, Pal Lekaj.

Lekaj në një prononcim për Gazetën Sinjali, u shpreh se Kurti ka nisur dialogun pa u koordinuar me ndërkombëtarët, opozitën e as shoqërinë civile.

“Kryeministri i Kosovës ka marrur këtë mision pa koordinim dhe unitet të gjithëmbarshëm ku hyjnë spektri politik, opozita, shoqëria civile, njohësit e fushës dhe ndërkombëtarët”, tha Lekaj.

Derisa foli edhe për Borrellin dhe Lajçakun, ai shpreh kritika edhe për BE-në duke theksuar se i mungojnë “një diplomaci më e theksuar me qëndrueshmëri politike dhe paasnjëanësi ndaj palëve”, duke shtuar se mungesa e këtyre elementeve ka ndikuar që të “kemi situatë të tillë”.

“BE gjithashtu ka pasur një politikë jo stabile dhe jo reale përballë Serbisë e që mendojë që e ka rebeluar Serbinë gjatë fazave të procesit”, tha Lekaj.

Tutje, deputeti i AAK-së shtoi se kryeministri i vendit ka mungesë të vigjilencës dhe, sipas tij, marrja e dialogur me lehtësi ka shkaktuar probleme në këtë proces.

“Mos vigjilenca e Kurtit në dialog ka shkaktuar probleme, ku duke mos ditur të dialogojë ka bërë lëshime dhe fillimisht e ka marrur me lehtësi këtë proces, apo shpeshherë edhe nuk ka qenë i përshtatshëm brenda dialogut për ndërkombëtarët.

Kjo ka ndikuar që ndërkombëtarët dhe BE ta humbasin besimin përballë Kurtit dhe tani së fundi edhe më shumë pasi ata kanë kërkuar që i njejti ti mbajë qëndrimet dhe fjalët që i ka dhënë”, u shpreh ai.

“Tani, momentumi është i keq, dhe ngërçi vetëm po forcohet në dëm të dialogut dhe të ardhmes së Kosovës, pasi  vendi yt dhe perspektiva e qytetarëve varet se si dhe kur e mbyllim marrëveshjen finale Kosovë-Serbi!”, përfundon deputeti i AAK-së, Pal Lekaj.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat