Miroslav Lajçak, i dërguari i posaçëm i BE-së për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, ka komentuar takimin e djeshëm mes kryeministrit kosovar, Albin Kurti dhe presidentit serb, Aleksandar Vuçiq.
Në një prononcim për agjencinë e lajmeve të Sllovakisë, TASR, Lajçak ka vlerësuar se të dy palët, pra Kosova dhe Serbia, kanë mosbesim ndaj njëra-tjetrës.
"Megjithatë, zbatimi i vërtetë i marrëveshjes nuk ka filluar në gjashtë muaj. Të dyja palët kanë një shkallë të madhe mosbesimi ndaj njëra-tjetrës. Ata thonë më jep atë që meritoj dhe pastaj do të bëj atë që është e nevojshme." – përshkroi situatën Lajçak.
Tutje, siç raporton TASR, Lajçak ka shtuar se për shkak të kësaj qasjeje, BE-ja paraqiti një propozim prej shtatë pikash që lejon të dyja palët të vazhdojnë paralelisht zbatimin e marrëveshjeve.
“Jam i bindur se marrëveshja e Ohrit është dokumenti më i mirë, të dyja palët e kanë pranuar dhe do të ishte turp të shkonte huq. Në atë rast presim më shumë konflikte, përshkallëzim të tensionit dhe mundësisht më shumë dhunë në veri të Kosovës.” – ka thënë ai.