Bllokimi i dialogut!

Aktuale

Bllokimi i dialogut!

Më: 15 shtator 2023 Në ora: 20:30
Pamje nga Brukseli

Qëndrimet e kundërta të palëve kanë bërë që diskutimet e djeshme në Bruksel të përfundojnë pa ndonjë rezultat. Por, njohësit e çështjeve politike thonë se Kosova duhet të përmbush zotimet për asociacionin, ndërsa ka mendime po ashtu që për suksesin në dialog BE-ja duhet të jetë më neutrale ndaj palëve.

Diskutimet në kuadër të dialogut, nuk sjellën ndonjë dakordim se si do të vazhdohet tutje me rrugën e implementimit të marrëveshjes.

Kosova po kërkon njohjen de-fakto nga Serbia, për të nisur më pas zbatimin e obligimeve që ndërlidhen me asociacionin, përderisa Serbia, në formë kushtëzimi, insiston që pala kosovare të formojë menjëherë asociacionin, para se të kalohet në pikat tjera të marrëveshjes. Në këtë mes, Bashkimi Evropian kërkon që palët t’i kryejnë obligimet e tyre në mënyrë paralele.

Këto qëndrime të palëve, sipas analistëve të çështjeve politike e bëjnë të paqartë rrugën drejt dialogut.

“Nuk shoh të ardhme të dialogut me këtë ngërç aktual që është mes dyja palëve … aktualisht jemi në një ngërç i cili, siç e thash edhe dje është duke e mbajtur Kosovën të bllokuar ndërkombëtarisht dhe ne nëse në marrëveshjen e Ohrit i kemi thënë po asociacionit të komunave me shumicë serbe, ne së paku duhet të fillojmë ta bëjmë hapin e parë, pra ta fillojmë hartimin”, tha njohësi i çështjeve politike, Agron Hoti.

Ndërsa njohësi i çështjeve politike Taulant Kryeziu thotë se për të ecur tutje në dialog, BE duhet të jetë më neutrale në ndërmjetësimin e bisedimeve.

Nuk mund të ketë kushtëzim të marrëveshjes së Ohrit në pikat të cilat janë në favor të Kosovës që kanë të bëjnë me njohjen de-fakto dhe të vendosen parakushti tek asociacioni. Prandaj propozimi që ka bërë kryeministri Kurti dhe segmentimi i hapave më është dukur i drejtë dhe në këtë rast unë mendoj që edhe ndërmjetësi duhet të qëndroi në rolin e vet neutral dhe nuk mund të bëjë kërkesa e Serbisë kërkesa për palët”, deklaroi njohësi çështjeve politike, Taulant Kryeziu.

Bashkimi Evropian në koordinim me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, pritet që ditët në vijim të diskutojnë për rrugën se si do të shkoj tutje dialogu për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat