Qeveria e Kosovës në orët e mbrëmjes, në mënyrë elektronike ka zhvilluar mbledhjen e radhës, në të cilën ka miratuar disa nisma të rëndësishme që lidhem me programet e energjisë solare si dhe një kërkesë drejtuar Presidentes Vjosa Osmani për një marrëveshje bashkëfinancimi me Zvicrën.
“Qeveria ka miratuar Nismën për lidhjen e Marrëveshjes së Kredisë ndërmjet Republikës së Kosovës, e përfaqësuar nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve, Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) Sh. A. dhe KfW, Frankfurt am Main për Projektin “ Programi i Energjisë Solare (Solar4KosovoI) – Fotovoltaike”, thuhet në njoftim.
Po ashtu Qeveria ka miratuar Nismën për lidhjen e “Marrëveshjes së Grantit ndërmjet Republikës së Kosovës, e përfaqësuar nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve, Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) Sh. A. dhe KfW, Frankfurt am Main për Projektin “ Solar4Kosovo - Centrali Fotovoltaik”.
Po ashtu ekzekutivi ka miratuar edhe Nismën për lidhjen e Marrëveshjes për Ndihmë të Ndërsjellë Juridike në Çështjet Penale ndërmjet Qeverisë e Republikës së Kosovës dhe Qeverisë së Mbretërisë së Belgjikës.
Apo ashtu ka miratuar një vendim për të kërkuar nga Presidentja e Republikës së Kosovës, “dhënien e Autorizimit për Ministrin e Financave, Punës dhe Transfereve për nënshkrimin e Marrëveshjes së Bashkëfinancimit ndërmjet Republikës së Kosovës e përfaqësuar nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve dhe Qeverisë së Konfederatës Zvicerane, e përfaqësuar nga Sekretariati Shtetëror për Çështje Ekonomike për Projektin - Qëndrueshmëria Klimatike në Sektorin e Ujit në Kosovë”.
Po ashtu Qeveria ka miratuar vendimin përfundimtar për shpronësim për interes publik të pronave të paluajtshme të cilat preken nga realizimi i Projektit: Renovimi dhe Rikonfigurimi i Stadiumit Olimpik “Adem Jashari” në Mitrovicë.