Tahiri: Po dëmtohet zhvillimi i Kosovës, rrugëtimi i saj drejt BE-së

Aktuale

Tahiri: Po dëmtohet zhvillimi i Kosovës, rrugëtimi i saj drejt BE-së

Më: 19 shtator 2023 Në ora: 07:43
Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri

Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri, i ka reaguar kryeministrit Albin Kurti, i cili, në një konferencë për media, tha se nëse zgjedhjet do të mbaheshin tani, opozita do të humbte, e Qeveria do të mbeste pa opozitë.

“Unë e thash edhe në konferencë për medie, po e them edhe tash këtu, një gjuhë e tillë e një  kryeministri që ka një masë të madhe të qytetareve prapa ti, tregon në radhë të parë për papërgjegjësinë e tij dhe, njëkohësisht, edhe papërgjegjësisë të një personi që sot udhëheq me vendin”, tha Tahiri në “Lajmet e fundit” në RTK.

Sipas tij, kërkesa e AAK-së për zgjedhje nuk vjen si rrjedhojë e një momenti të caktuar, të rastit, por vjen si rrjedhojë e një bllokade totale, e cila është duke ndodhur në Kosovë, si në rrafshin e brendshëm, ashtu edhe në rrafshin e jashtëm.

“Po flas për rrafshin e jashtëm, Kosovën Albin Kurti po e ruan nga Amerika, Gjermani dhe Britania e krejt BE-ja... Të gjitha këto janë duke u munduar që të gjejnë një zgjidhje që e çon Kosovën më lartë, por a është ajo marrëveshje më e mirë- normal jo, por është një marrëveshje që zoti Kurti e ka pranuar, në Bruksel, në Ohër dhe në Bratislavë. Ai e ka vendosur Kosovën, pas 24 viteve, nënë sanksione”, tha Tahiri.

Ai, tutje tha se të gjitha dyert janë mbyllur për kryeministrin Kurti. "Në Nju Jork, atje është duke u mbajtur  Asambleja e Kombeve të Bashkuara, me kujtohet që në të kaluarën të gjithë kryeministrat kanë shkuar, por sot ky nuk mundet të shkojë, sepse nuk ka ftesë, i ka dyert e mbyllura. Sot ministrja e Punëve te Jashtme nuk mund të shkojë  në Amerikë, se i ka dyert e mbyllura, nuk mund të mbajë as një takim”, tha ai.

Sipas Tahirit, kryeministri edhe sot, në konferencë për media, mundohet ta humbasë vëmendjen nga  debati. “Kosova sot ka nevojë për një rrugëtim të qëndrueshëm të anëtarësimit të vetë në NATO, për shkak se neve na duhet siguria, sepse ky anëtarësim do të ndihmonte zhvillimin e Kosovës në të gjitha aspektet e tjera dhe, pastaj, në  rrugëtimin drejtë Bashkimit Evropianë”, shtoi Tahiri.

Ai tha se Kosova, këtë vit, do të marrë raportin më të dobët, më kritik, që e ka pasur ndonjëherë në historinë e vet nga Bashkimi Evropian.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat