Parregullsi dhe jokorrektësitë kanë ndodhur në konkursin për infermierë në Komunën e Mitrovicës. Prokuroria Themelore e Mitrovicës ka nisur hetimet lidhur me këtë çështje
Parregullsitë dhe jokorrektësitë e ndryshme vazhdojnë të jenë prezente në institucionet komunale të vendit. Një e tillë është në Komunën e Mitrovicës.
Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare “Dr. Nexht Çuni” kishte shpallur konkurs për 20 infermierë të përgjithshëm. Për 20 pozita kishin aplikuar 330 kandidatë, 260 prej tyre ishin përzgjedhur për procedurat rekrutuese të testimit.
![Image](/media/botasot.info/images/2023/September/21/auto_021695277903.png)
Në mesin e 20 kandidatëve të përzgjedhur ishte edhe një e tillë që nuk i plotësonte dy kritere të konkursit, ajo nuk kishte nënshtetësi kosovare dhe licencën.
Lidhur me rastin, Prokuroria Themelore në Mitrovicë ka nisur hetimet.
Komuna e Mitrovicës në një përgjigje për Portalin Dukagjini, ka thënë se konkursi për infermierë të përgjithshëm është zhvilluar para më shumë së një viti.
Në përgjigjen e tyre, thuhet se kandidatja ka pasur lejeqëndrim të përhershëm në Republikën e Kosovës dhe aplikacioni i është pranuar në bazë të një vendimi të Qeverisë së Kosovës nr.07/11 i datës 07.05.2021 për punësimin e shtetasve të Shqipërisë.
Komuna e Mitrovicës ka thënë se pas pranimit të aplikacionit kandidatja ka vazhduar me procedurat e tjera të rekrutimit në mënyrë të njëjtë dhe të barabartë më të gjithë kandidatët e tjerë, dhe se sipas tyre e njëjta pas gjashtë muajve të periudhës provues ose thënë ndryshe praktikës ka rezultuar në mesin e kandidatëve të pranuar.
Duke iu referuar përgjigjes së Komunës së Mitrovicës, gjatë periudhës provuese të punës, kandidatja nuk ka arritur të plotësojë dokumentacionin e nevojshëm për të vazhduar me kontratë të përhershme të punës dhe i është ndërprerë kontrata e punës.
“Para më shumë se një viti menjeherë pas përfundimit të konkursit organet ligjzbatuese kanë kërkuar gjithë dokumentacionin e konkursit më qëllim të verifikimit. Përveq dorëzimit të gjithë dokumentacionit të kërkuar, anëtarët e komisionit u kanë dhënë të gjitha sqarimet e tyre lidhur me këtë konkurs”, thuhet në përgjigjen e Komunës së Mitrovicës.
Komuna e Mitrovicës ka thënë tutje se procesi i rekrutimit është zhvilluar sipas parimit të barazisë dhe gjithëpërfshirjes, “duke plotësuar kriteret e një procesi të drejtë dhe transparent, me respektim të plotë të procedurave dhe afateve”.
“Të gjithë kandidatëve, mediave dhe OJQ-ve, që kanë parashtruar kërkesë, iu është mundësuar qasja në dokumentacionin e konkursit, sipas ligjit të qasjes në dokumente zyrtare. Poashtu ka ekzistuar bashkëpunimi i plotë dhe i vazhdueshëm me organet ligjzbatuese”, thuhet tutje në përgjigjen e Komunës së Mitrovicës.
Zëdhënësi i Prokurorisë Themelore në Mitrovicë, Valon Preteni në një përgjigje ka thënë se lidhur me rastin është paraqitur kërkesë për grumbullimin e provave.