Shefi i Grupit Parlamentar i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi, ka thënë se Komisioneve Hetimore të Kuvendit të Kosovës, i ishte bindur edhe ish-presidenti Hashim Thaçi, pasi, sipas Gashit, ish-presidenti kishte dorëzuar dokumente sekret të shtetit te Komisioni Hetimor Parlamentar.
“Ne kemi praktikë në këtë Kuvend, ku ish-presidenti Hashim Thaçi ia ka dorëzuar Komisionit Hetimor Parlamentar kontratën e kualifikuar si sekret shtetëror, kontratën e lobimit”, ka thënë Gashi, teksa ka kërkuar që të formohet Komisionin për Hetimin e rezerva shtetërore.
Ndërsa, shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Mimoza Kusari-Lila, e ka cilësuar si “hap të ngutshëm” kërkesën e LDK-së për themelimin e Komisionit Hetimor Parlamentar lidhur me procedurat për furnizimin dhe menaxhimin me rezervat shtetërore.
Sipas saj, kjo kërkesë nuk ka kuptim dhe synon të krijojë paralelizëm me organet e hetuesisë.
“Kjo kërkesë, përveçse se nuk ka kuptim, synon të krijojë paralelizëm me organet e hetuesisë. Partitë opozitare jo rrallëherë kanë dalë në mbrojtje të Prokurorisë së Shtetit, duke thënë se ne po iu cenojmë aktivitetin, derisa momentalisht po tregojnë mosbesimin përmbajtjesor ndaj punës së tyre, se mendojnë që përfaqësuesit e kuvendit mund të jenë hetues dhe prokurorë më të mirë se organet e rendit”, ka thënë Kusari-Lila.