Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, me bashkëpunëtorë ka bërë homazhe pranë shtatores së heronjve të kombit, Fehmi e Xhevë Lladrovci në përvjetorin e rënies së tyre.
“Heronjtë e Kombit, Fehmi e Xhevë Lladrovci ishin simbol i qëndresës, krah i fortë i lëvizjes për liri e pavarësi. Gjithmonë të parët në rresht, ata luftuan dhe ranë bashkë. Fehmiu dhe Xheva, të cilët kisha fatin edhe t’i njoh nga afër, janë themelet e Kosovës së lirë, Kosovës shtet”, është shprehur Haradinaj në postimin e tij në Facebook.
Ai ka kujtuar po ashtu edhe të rënët e tjerë dëshmorë të Brigadës 114.
“I kujtojmë me respektin më të thellë po ashtu bashkëluftëtarët e tyre, Shefqet Zeka e Fatime Hetemi, dhe të gjithë dëshmorët e Brigadës 114, që me krenari mbajti emrin e Fehmi Lladrovcit. Në këtë përvjetor, përulemi me nderim para veprës së tyre heroike. Ata do të jenë gjithmonë udhërrëfyesit tonë në rrugën për ndërtimin e shtetit”, ka përfunduar Haradinaj.