Policia e Kosovës në mëngjesin e së dielës është sulmuar nga një grup kriminal serb në Banjskë të Zveçanit.
Si pasojë e atij sulmi, rreshteri Afrim Bunjaku u vra, një zyrtar policor u plagos dhe dy të tjerë mbetën të lënduar.
Policia të hënën tregoi se tre sulmues janë vrarë, dhe janë arrestuar pesë persona, njëri sulmues e katër persona të tjerë të dyshuar të cilët janë hasur nën posedim të radiolidhjeve, si dhe identifikimin e një sasie të konsiderueshme të armëve, municionit dhe pajisjeve të ndryshme.
Lidhur me situatën e trazuar në veri të vendit, ka folur ish-komandanti i UÇK-së, Sami Lushtaku.
Ai uron të mos ndodh një gjë e tillë sërish.
Sipas tij, problemet në veri po prekin gjithë Kosovën.
E rëndë ka qenë vrasja e policit, thotë ish-luftëtari.
“Si shumica e qytetarëve edhe unë e kam përcjell situatën me shqetësim, ka qenë e rënd vrasja e policit. Ajo që ndodhi dje në veri uroj të mos përsëritët më se problem në veri po reflektohen edhe në gjithë Kosovën”, u shpreh Lushtaku.
Lushtaku thotë se ka disa faktorë që quan veriun në trazira.
Ish-luftëtari ka vlerësuar edhe Policinë për menaxhimin e situatës së djeshme.
“Duhet ta ruajmë Policinë e shtetit tonë. Policia ka reaguar në mënyrën profesionale. Shumë faktorë janë që ka ndodhur ajo situatë dje në veri por sot nuk është momenti të flasim”, thotë Lushtaku.
Polici i vrarë Afrim Bunjaku do të varroset sot në ora 16:00 në Samadrexhë të Vushtrrisë.
Në nderim të policit të vrarë është shpallur ditë zie nga presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.