I jepet lamtumira e fundit heroit Afrim Bunjaku

Aktuale

I jepet lamtumira e fundit heroit Afrim Bunjaku

Më: 25 shtator 2023 Në ora: 16:07 Përditësuar në ora: 17:28 më 25.09.2023
Foto nga vendi i ngjarjes

I jepet lamtumira e fundit heroit Afrim Bunjaku

I është dhënë lamtumira e fundit “Heroit të Kosovës” Afrim Bunjaku.

Ai u varros me ceremoni shtetërore në varrezat e fshatit Samadrexhë të Vushtrrisë.

Rreshteri Bunjaku, u vra të dielen në fshatin Banjskë të Zveçanit, nga një grup terrorist.

Sulmi u krye teksa policia kishte shkuar për t’i larguar dy kamionët të cilët e kishin bllokuar rrugën.

Kurti në varrimin e policit të vrarë: Afër Afrimi, larg krimi

Kryeministri, Albin Kurti, ka thënë se me krimin dhe terrorin nuk ka kompromis, ndaj dhe Kosova do të ngadhënjejë përballë strukturave armiqësore, siç qe rasti i djeshëm në Banjskë.

Madje Kurti në ceremoninë lamtumirëse të policit të vrarë të Kosovës, u shpreh se para se ai të varroset si hero në tokën e tij, portreti dhe profili i Afrim Bunjakut të skalitet në mbamendjen kolektive.”Rënia në detyrë e rreshter, Afrim Bunjakut, i veshur në uniformën e Policisë së Kosovës, është një sakrificë në betejën e Kosovës për ligj dhe kushtetueshmëri, drejtësi e të drejta për çdo qytetar të Kosovës, pa dallim”.

”E heroizmin e Afrimit e vazhduan sërish me profesionalizëm dhe vetëmohim, kolegët e tij, policët e Kosovës që i përballën grupet e armatosura kriminale dhe terroriste të Serbisë në veri të Kosovës”.

”Përballë këtyre strukturave armiqësore, do të ngadhënjejë Kosova me përpjekjen e saj legjitime për rend dhe ligj dhe sovranitet në gjithë territorin e Republikës së Kosovës dhe të gjithë qytetarët e saj”.

”Afër Afrimi, larg krimi. Me terrorin dhe krimin, nuk ka kompromis”.

Djali i axhës së Afrimit: Është dhimbje e madhe për ne, por janë edhe momente krenarie

Arton Bunjaku, djali i axhës së Afrim Bunjakut, policit të vrarë në veri tha se për ta është një dhimbje tejet e madhe, por njëkohësisht edhe krenari.

Ai u shpreh se po pranojnë ngushëllime nga i gjithë populli.

Bunjaku u shpreh se kjo  tregon se jemi të unifikuar në momentet më të vëshira.

“Është një dhimbje tejet e madhe për ne, por njëkohësisht janë edhe momente krenarie. Por, pranojmë ngushëllime nga i gjithë populli, pavarësisht nga përkatësia e tyre partiake, religjioze apo ndonjë përkatësi tjetër. Kjo është dëshmia më e mirë se si ne ia arrijmë të jemi të unifikuar në momentet më të vëshira dhe vendimtare për familjen, por edhe për vendin”

Konjufca: Rreshteri Afrim Bunjaku e mbrojti Kosovën me jetën e tij

Kryeparlamentari, Glauk Konjufca, në ceremoninë shtetërore të varrimit të Afrim Bunjaku, policit të vrarë dje në veri, tha se dita e 24 shtatorit do të shënohet në historinë e Kosovës si dita kur Afrim Bunjaku ra dëshmorë e u bë hero i Kosovës.

Ai u shpreh se Afrim Bunjaku ra në krye të detyrës si oficer i denjë i Republikës në mbrojtje të lirisë e pavarësisë.

“Dita e 24 shtatorit do të shënohet në historinë e Kosovës sikur dita kur Afrim Bunjaku ra dëshmorë e u bë hero i Kosovës, për ta ngritur shtetin tonë. Afrim Bunjaku ra në krye të detyrës si oficer i denjë i Republikës në mbrojtje të lirisë, pavarësisë dhe sovranitetit të Republikës sonë”, u shpreh ai.

Konjufca tutje tha se Afrim Bunjaku dje e mbrojti Kosovën me jetën e tij.

“Rreshteri Afrim Bunjaku dje e mbrojti Kosovën me jetën e tij, ndërsa nga sot rënja e tij do t’i frymëzojë brezat e ardhshëm se si mbrohet atdheu”, u shpreh tutje ai.

Osmani: Afrim Bunjaku, është hero i secilit shqiptar

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se polici i vrarë dje Afrim Bunjaku, është heroi i secili shqiptar.

Osmani gjatë ceremonisë së varrimit potencoi se Bunjaku bëri sakrificën më sublime duke u bërë hero i Kosovës.

“Jemi mbledhur këtu me zemër të thyer dhe pikëllim të thellë për të nderuar një rreshter të përkushtuar i cili dje bëri sakrificën më sublime duke u bërë hero i Kosovës”.

“Përballja e tij me terroristët e dirigjuar nga Serbia ishte beteja e fundit për të por jo fundi i tij. Prej sot, Afrimi është heroi i secili shqiptar, i secilit qytetar që e do Republikën e Kosovës, sepse ai dje mbrojti integritetin territorial dhe sovranitetin e shtetit tonë”, u shpreh Osmani.

“Do të kujtohet përherë sa të jetë Republika. Heroi më i ri i Republikës, dje dëshmoi se Kosova është mbi të gjitha, Afrim Bunjaku është dëshmi se shteti ynë ka nevojë se secili nga ne t’i bëhet gardian”.

Hovenier, Szunyog e Rifat Jashari marrin pjesë në varrimin e policit të vrarë

Ambasadori amerikan, Jeffrey Hovenier, shefi i BE-së, Tomas Szunyog e Rifat Jashari janë në mesin e shumëve që po marrin pjesë në varrimin e policit të vrarë të Republikës së Kosovës, Afrim Bunjakut.

Në varrim janë duke marrë pjesë edhe figura të tjera të larta si ministrja e Jashtme, Donika Gërvalla.

Përndryshe, Afrim Bunjaku u vra dje nga grupet serbe kriminale në mëngjesin e djeshëm në Banjskë të Zveçanit.

Kujtojmë se, në Kosovë flamujt në institucionet vendase dhe ambasadat perëndimore janë ulur në gjysmështizë, ndërsa vendi është në ditë zie të në shenjë nderimi ndaj pjesëtarit të policisë së Kosovës Afrim Bunjaku.

Nis ceremonia e varrimit të policit Afrim Bunjaku

Ka nisur kortezhi i funeralit të policit Afrim Bunjaku, i cili u vra të dielen në fshatin Banjskë të Zveçanit, në veri.

Varrimi i tij është paralajmëruar të bëhet nga ora 16:00, në varrezat e fshatit Samadrexhë të Vushtrrisë.

Në varrim janë duke marrë pjesë edhe figura të tjera të larta.

Polici Afrim Bunjaku, u shpall sot “Hero i Kosovës” nga presidentja Vjosa Osmani.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat