“Jo KFOR, por Policia dhe ushtria e Kosovës”/ Deklarata e Ramës për rrezikun në veri shkakton shumë reagime

Aktuale

“Jo KFOR, por Policia dhe ushtria e Kosovës”/ Deklarata e Ramës për rrezikun në veri shkakton shumë reagime

Më: 28 shtator 2023 Në ora: 18:56
Edi Rama

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama doli sot para mediave për të shprehur shqetësimin serioz si asnjëherë më parë në 10 vjet për rrezikshmërinë e lartë në veriun e Kosovës.

Rama tha se nevojitet një konferencë ndërkombëtare për Kosovën, duke shtuar se formati i dialogut duhet të ndryshojë menjëherë.

Ndër të tjera, Rama tha se KFOR-i duhet të marrë në kontroll veriun e Kosovës, duke theksuar se diçka të tillë e ka propozuar edhe më herët në Samitin e NATO-së.

“Formati i dialogut duhet ngritur në një nivel konference, ndërsa përfaqësimi i BE-së dhe i komunitetit euroatlantik, duhet ngritur në nivelin më të lartë, me Francën dhe Gjermaninë në nivelin e presidentit dhe kancelarit. Formati i derisotëm, ku takohen dy burra, nuk ka më asgjë për t’i ofruar paqes në këtë situatë të re. KFOR-i duhet të marrë nën kontroll veriun e Kosovës. Më vjen mirë që këtë tashmë e kërkon edhe Kosova, ashtu siç më vjen mirë që Vjosa Osmani ka kërkuar pjesëmarrjen e SHBA-së për hartimin e një drafti për Asociacionin. Është një hap më në fund në drejtimin e duhur”, u shpreh Rama.

Kjo deklaratë e tij është komentuar mjaft shumë, për çka pati edhe reagime.

Rama tha se nëse kjo nuk ndodh, stokut të marrëveshjeve mund t’i shtohet edhe një stok viktimash.

Rama tha se një draft për Asociacionin e komunave me shumicë serbe duhet të jetë sipas Kushtetutës së Kosovës. Duke iu referuar edhe propozimit të tij për një draft-statut për Asociacionin, Rama theksoi se nuk ka rëndësi kush e shkruan, por çfarë sjell për dy vendet.

Kryeministri Rama tha se Kosova, sot, më shumë se sa para se të ndodhte tragjedia, duhet të kërkojë dialogun dhe t’i besojë atij. Plani franko-gjerman, sipas Ramës, është ende në tryezë, andaj Prishtina duhet të reflektojë.

Aktivisti nga Shqipëria, Arlind Qori, ka analizuar konferencën e sotme të kryeministrit shqiptar, Edi Rama, që e mbajti për situatën aktuale pas sulmit terrorist në Kosovë.

Qori thotë se përveç dënimit të pritshëm të agresionit ndaj Kosovës dhe identifikimit të Qeverisë së Serbisë me agresorët, pati edhe disa elemente në këtë konferencë që ai i quajti problematikë.

Një prej tyre ishte deklarata e Ramës që KFOR të marrë në kontroll veriun e Kosovës. Qori thotë se Rama hoqi një paralele të rrezikshme, për të cilën tha se është poshtërsia më e madhe ndaj popullit dhe shtetit të Kosovës.

“Rama bëri thirrje që KFOR-i të marrë në kontroll veriun e Kosovës. Jo të ruajë seriozisht kufirin nga depërtimi i grupeve të terrorit e krimit, as të ndihmojë Policinë e Kosovës në ruajtjen e rendit në veri, por marrjen e pushtetit material në veri. Për analogji, kjo është çka KFOR-i bëri në Kosovë kur dëboi ushtrinë dhe policinë e regjimit të Millosheviçit. Duke hequr këtë paralele, Rama po i ofron veriut të Kosovës në raport me shtetin e Kosovës atë që fitoi Kosova në raport me Serbinë më 1999. Nëse kjo nuk është budallallepsje nga padija, është poshtërsia më e madhe ndaj popullit dhe shtetit të Kosovës”, tha aktivisti i Lëvizjes BASHKË.

Ai kritikoi edhe thirrjen e Ramës ndaj Kosovës për kthimin pa kushte në tryezën e dialogut me Vuçiçin, duke theksuar nevojën e krijimit të Asociacionit.

Sipas tij, Rama solli një opsion të ndryshëm edhe prej Kosovës e BE-së sa i takon themelimit të Asociacionit.

“Rama bëri thirrje për kthimin pa kushte në tryezën e dialogut me Vuçiçin, duke theksuar nevojën e krijimit të Asociacionit. Gjithsesi debati mbi Asociacionin nuk ka qenë më a duhet të bëhet, por si dhe me ç’hapa duhet të bëhet. Pra Asociacioni (brenda detyrimeve kushtetuese) do të bëhet me KUSHTIN që Serbia të njohë Kosovën apo me SHPRESËN që Serbia do ta njohë Kosovën? Qëndrimi i qeverisë së Kosovës ka qenë opsioni i parë. Përfaqësuesit e BE kanë zgjedhur opsionin e dytë. Kurse Vuçiçi ka dalë me opsionin e tretë: Serbia nuk do ta njohë kurrë Kosovën as de jure, as de facto. Se për çfarë do të dialogohet në këto kushte, nuk e kuptoj!”, shkroi ai.

Ish-kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, ka reaguar ndaj deklaratave të kryeministrit Edi Rama për Kosovën.

Ai ka thënë se insistimi i kryeministrit shqiptar për shtimin e trupave të KFOR-it në veri të Kosovës është kundër interesave të Republikës së Kosovës.

Në një konferencë për media, Berisha ka thënë se të njëjtën kërkesë e ka edhe Beogradi.

“Edi Rama në sintoni me padronin e tij, Aleksandër Vuçiç përsëriti në Tiranës tezat e padronit dhe shtoi në këtë mënyrë akuzat ndaj Kosovës, udhëheqjes së saj në problematikën e marrëveshjes midis Prishtinës dhe Beogradit. Edi Rama kërkoi sot fjalë për fjalë, siç kërkoi Beogradi, dhe mashtroi shqiptarët dhe publikun se gjoja ka kërkuar Prishtina që në komunat e veriut të Kosovës të vendoset KFOR-i. Njesitë ushtarake të KFOR-it, si njesi të NATO-s kanë përgjegjësi ndërkombëtare për garantimin e integritetit territorial të Republikës së Kosovës dhe mbrojtjen e saj. Qeveria e Kosovës në radhë të parë, dhe partnerët ndërkombëtarë nuk janë dakord as me padronin e Edi Ramës, Vuçiç, as edhe argatin e tij në Tiranë”, ka thënë Berisha.

Sipas tij, kërkesa e Ramës është djallëzore.

“Ata mendojnë dhe besojnë se përgjegjëse për sigurinë e rendit në të gjithë territorin e Kosovës është Policia e Kosovës. Ajo është linja e parë në garantimin e rendit dhe luftën kundër kriminalitetit në të gjithë territorin pa përjashtim në asnjë zonë, natyrisht në çdo rast ajo bashkëpunon dhe duhet të bashkëpunojë me me KFOR-in, EULEX-in sa herë që t’i paraqitet nevoja. Por kërkesa e Edi Ramës me porosi të Aleksandër Vuçiç që komunat në veri të Kosovës me shumicë serbe të vendosen nën kontrollin e KFOR-it është një kërkesë djallëzore, e cila nuk ka qëllim tjetër, përveç indirekt për të dalë tek ndarja e Kosovës midis Serbisë dhe Shqipërisë”, është shprehur ai, duke e dënuar deklaratën e Ramës.

“Këtë projekt Edi Rama për veriun e komunave të Kosovës e mbrojti vite të tëra me shkëmbim territoresh. Por ky projekt ka dështuar, është arkivuar njëherë e mirë. Ndaj edhe dënoj me ashpërsinë më të madhe këtë qendrim të Edi Ramës që shkon fund e krye në përputhje me kërkesat e Beogradit”, ka thënë lideri demokrat.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat