Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, në një intervistë për agjencinë britanike të lajmeve “Reuters“, ka akuzuar Policinë e Kosovës se ka qëlluar në kokë prej “një metri distancë” njërin prej terroristëve të kapur, duke e cilësuar “ekzekutim”, porse këtë akuzë e ka mohuar Veton Elshani, zëvendës-drejtor i Policisë së Kosovës për rajonin e veriut.
Elshani ka thënë për prestigjozen britanike se pretendimet e presidentit serb janë “absurde”, derisa ka treguar se njërit prej pjesëtarëve të grupit terrorist që ka sulmuar Policinë e Kosovës më 24 shtator në fshatin Banjskë të Zveçanit – komunë e banuar me shumicë serbe – organet e rendit ia kanë ofruar ndihmën e parë duke ia shpëtuar jetën.
“Kjo është absurde. Oficerët e Policisë së Kosovës nuk do ta bëjnë kurrë një gjë të tillë. Njërit prej të arrestuarve i dhamë ndihmën e parë në terren për t’i shpëtuar jetën ngase kishte pësuar lëndime”, ka thënë Elshani të enjten.
Rreshteri i Policisë së Kosovës, tashmë i nderuar me titullin ‘Hero i Kosovës’, Afrim Bunjaku, u vra në orët e para të 24 shtatorit në fshatin Banjskë nga një grup i organizuar terrorist, i cili, sipas autoriteteve kosovare, ka ngërthyer brenda vetes së paku 30 pjesëtarë të trajnuar, ushtarakë e paramilitarë, të cilët janë sponsorizuar dhe mbështetur nga shteti serb.
Megjithatë, presidenti serb ka mohuar pretendimet se Serbia ka nxitur dhunën në pjesën veriore të Kosovës, duke thënë se Beograd nuk do të përfitonte asgjë prej saj, sepse siç ka thënë, kjo do të rrezikonte pozicionin e tij në procesin e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian (BE).
“Pse një gjë e tillë do të ishte e dobishme për Beogradin? Cila do të ishte ideja? Të shkatërrohet pozicioni ynë që kemi ndërtuar për një vit? Të shkatërrohet kjo brenda një dite? […] Serbia nuk do luftë”, ka nënvizuar presidenti i Serbisë.
Pjesëtarët e këtij grupi, përfshirë kryekriminelin serb në arrati, Milan Radojçiç, pas vrasjes së policit kosovar në krye të detyrës dhe plagosjes së dy policëve të tjerë, gjetën strehë në Manastirin e Banjskës, ku u barrikaduan për orë të tëra dhe shkëmbyen të shtëna me organet e rendit gjatë gjithë ditës së dielë, duke tentuar të provokonin kryengritje më të gjërë.
Radojçiçi i cili ka mbështetjen e presidentit serb dhe autoriteteve të tjera në Beograd, kërkohet nga Qeveria e Kosovës për një numër veprash penale dhe është gjithashtu në “listën e zezë” të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA) dhe Britanisë së Madhe për përfshirje në krimin e organizuar ndërkombëtar.
Terroristët që cenuan sigurinë dhe paqen në veriun e trazuar të vendit, u neutralizuan nga Policia e Kosovës dhe operacioni policor gëzoi mbështetje të gjërë ndërkombëtare. Tre pjesëtarë të bandës terroriste, sipas të dhënave aktuale, u vranë, dy të tjerë u plagosën dhe disa të tjerë janë arrestuar, ndërsa të tjerët janë arratisur në Serbi.