Qalaj fajëson KFOR-in dhe AKI-në për sulmin terrorist: Janë përgjegjës për sigurinë, këtë punë e kanë

Aktuale

Qalaj fajëson KFOR-in dhe AKI-në për sulmin terrorist: Janë përgjegjës për sigurinë, këtë punë e kanë

Më: 29 shtator 2023 Në ora: 06:32
Rashit Qalaj, ish-drejtor i Policisë së Kosovës

Rashit Qalaj, ish-drejtor i Policisë së Kosovës, ka fajësuar KFOR-in dhe AKI-në për dështimin në parandalimin e sulmit terrorist në Banjskë të Zveçanit.

Në emisionin DPT te Fidani, ai tha se KFOR-i është përgjegjës për kufirin me Serbinë, dhe se ky rast është dështim i madh nga ana e tyre.

“Me gjithë respektin që e kam për forcat e KFOR-it, duke e ditur që janë përgjegjës për kufirin, është një dështim mjaft i madh i tyre. Dhe ata i kanë mundësitë teknike shumë më të avancuara”.

Ndërsa për AKI-në, tha se parandalimi i rreziqeve është edhe detyrë primare, ndaj të njëjtit duhet të kenë pasur informacione se çka po ndodh.

“Konsideroj se është dështim edhe i Agjencionit të Inteligjencës. Se ata e kanë qet punë. Ata e kanë punë që t’i parandalojnë rreziqet ndaj Kosovës dhe është dashtë ta kenë informatën për këtë që ka ndodh”.

“Policia e Kosovës e ka Drejtorinë për inteligjencë mirëpo ajo është inteligjencë kriminale, me marrë informata për rastet që kanë ndodh, për grabitjet, për vrasjet, dhe nëse munden edhe informata të tjera. Mirëpo, kur Policia e Kosovës t’i përfundojë hetimet, do ta dinë saktë se kur kanë hy [terroristët], e si kanë hy”.

Qalaj bëri thirrje që ky dështim të merret si mësim për hera të tjera.

“Edhe KFOR-i, edhe AKI-ja edhe Policia duhet të jenë shumë shumë të kujdesshëm. Ta shohin se si ka dështu kjo punë, si kanë hy ato armë, të nxjerrim mësimet se çka u bo që s’patën informacion”, tha ai. 

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat