Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur sot në takim lamtumirës ambasadorin e Zvicrës, Thomas Kollyn, të cilin e ka falënderuar për angazhimin e tij të deritashëm, njoftojnë nga presidenca.
Sipas Osmanit, Zvicra është një partner strategjik i Kosovës dhe se marrëdhëniet ndërmjet të dy shteteve janë edhe më miqësore, shkaku i numrit të madh të kosovarëve që jetojnë atje.
Duke falënderuar shtetin zviceran për mbështetjen e vazhdueshme të Kosovës, e para e shtetit e ka njoftuar lidhur me zhvillimet e fundit në veri të vendit pas sulmit terrorist dhe aktit të agresionit nga Serbia kundër Kosovës.
Ajo ka nënvizuar rëndësinë e bashkëpunimit të ngushtë me shtetet aleate dhe koordinimit të institucioneve të sigurisë, me qëllim parandalimin e përsëritjes së akteve të tilla.