Presidenca reagon pas deklaratës së Ramës: KFOR-i është reagues i tretë

Aktuale

Presidenca reagon pas deklaratës së Ramës: KFOR-i është reagues i tretë

Më: 29 shtator 2023 Në ora: 20:00
Vjosa Osmani dhe Edi Rama

Presidenca e Kosovës ka reaguar ndaj një deklarate të bërë nga kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, i cili teksa iu është përgjigjur kritikëve për idenë e tij që KFOR-it të vendoset në Veri, ka thënë se kjo ka qenë kërkesë edhe e presidentes Vjosa Osmani.

Bekim Kupina, këshilltar për media i presidentes, tha për RTKlive se presidentja Osmani në çdo takim ka sqaruar se KFOR-i është reagues i tretë në mbështetje të Policisë së Kosovës si reaguese e parë në secilën pjesë të territorit të saj.

"Presidentja Osmani në çdo bisedë dhe takim me partnerët dhe aleatët e ka sqaruar se mandati i KFOR-it, është vetëm si reagues i tretë dhe në mbështetje të Policisë së Kosovës si reagues i parë dhe institucioni kyç për sundimin e ligjit dhe sigurinë në secilën pjesë të territorit të saj", tha ai.

Sipas tij istitucionet e Kosovës kanë kërkuar mbështetje nga NATO-ja, që patrullimet në zonën kufitare t’i përfshijnë edhe ushtarët e NATO-s, përkrah policëve të Kosovës në mënyrë që të parandalohet hyrja e grupeve terroriste dhe sulmet nga Serbia. 

"Policia e Kosovës ka mandat të plotë në të gjithë territorin e Kosovës, ndërsa me NATO-n, ka bashkëveprim dhe koordinim të ngushtë, siç e dëshmon edhe reagimi e operacioni policor gjatë sulmit terrorist në Banjskë më 24 shtator 2023.

Pra, nuk bëhet fjalë për marrjen e kompetencave sovrane të institucioneve të sigurisë së Kosovës nga KFOR-i, por për mbështetjen e institucioneve të Kosovës në ndalimin e agresionit nga Serbia"
, tha Bekim Kupina, këshilltar për Media i Presidentes.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat