Kryetari i Bordit të Radiotelevizionit të Kosovës, Besnik Boletini, ka paralajmëruar masa ndëshkuese ndaj kryesisë së kanalit RTK 2, që transmeton lajmet në gjuhën serbe.
Boletini ka thënë se në RTK 2 janë hasur parregullsi në raportim për bazë zhvillimet e fundit në veri të Kosovës.
“Duke marrë parasysh zhvillimet e fundit në veri të vendit, që nga dita e parë ne jemi duke e përcjellë vazhdimisht raportimin edhe në RTK2 dhe janë mbajtur evidenca, e ku janë hasur edhe parregullsi në raportim. Bordi i RTK-së do të marrë masa të menjëhershme dhe të ashpra”, ka thënë Boletini.
Ky reagim vjen pasi në një edicion lajmesh në këtë kanal, Kosovës i janë referuar si “Kosova me Metohi”, e terroristët e vrarë nga Policia e Kosovës janë cilësuar “viktima”.
Për këtë ka reaguar edhe analisti Imer Mushkolaj, i cili ka pyetur se “kujt i shërben ky medium?”.
“RTK2 i cilëson “viktima” terroristët në veri. Thua se bëhet fjalë për dikë që ka vdekur në ndonjë fatkeqësi natyrore, e jo për pjesëtarë të një grupi të organizuar, të armatosur, që kryen sulm terrorist duke vrarë një polic dhe plagosur një tjetër. RTK2 iu jep hapësirë, që të shpren plot mllef e urrejtje, njerëzve që përpiqen të amnistojnë Vuçiqin nga sulmi në veri. RTK2 paguhet prej taksave tona. A e monitoron kush? Kujt i shërben ky medium?”, ka shkruar ai.