Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Mefail Bajqinovci, është shprehur skeptik lidhur me arrestimin e kryeterroristit Milan Radojiçiqit. Ai këtë e quajti farsë, dhe se po bëhet vetëm sa “për t’u hedhur hi syve” shteteve të Perëndimit.
Bajqinovci i ka konsideruar kontradiktore veprimet e Serbisë, ku në njërën anë tenton të distancohet nga sulmi përmes arrestimit të Radojiçiqit e në anën tjetër i glofirikon terroristët e vrarë.
“Mendoj se ishte një farsë për t’i ikur presionit ndërkombëtar, dhe për të dalur se kinse ne nuk kemi gisht dhe të distancohemi nga veprimet e tij. Por kjo është një çmenduri e pushtetit serb sepse po të njëjtit mbajtën ditë zie për terroristët e vrarë në Kosovë ndërsa e arrestuan Radojiçiqin, kryeterroristin, të cilin e kemi pa se ai e udhëheqte agresionin në Kosovë”.
Ai konsideroi se nuk është koincidencë që Radojiçiqi u arrestua pak para seancës së Parlamentit Evropian, ku u fol për tensionet Kosovë-Serbi.
“Edhe një gjë, ishte Parlamenti Evropian që sot kishte debate ku u dënua sulmi ndaj Republikës së Kosovës. Para se të fillonte kjo seancë në PE, këta e arrestuan. Pra, pushteti në Serbi zakonisht di të manevrojë, duke tentuar t’i hedhë hi syve botës demokratike ndërsa i glorifikojnë, u bëjnë homazhe dhe mbajnë ditë zie për kolegët e tij të cilët u vranë nga sulmi terrorist në Kosovë”.
“Ne e dimë se si funksionon Serbia me këta mini-Arkanat. Sepse, sulmi ndaj rendit kushtetues të Kosovës nuk është bërë vetëm në Kosovë. Mos ta harrojmë edhe puçin në Mal të Zi”.