Serbia e arrestoi sa për sy e faqe, terroristi Radojiçiq lirohet nga mbajtja
Gjykata në Beograd e ka liruar terroristin Millan Radoiçiq nga mbajtja, një ditë pas marrjes në pyetje.
Sipas mediave serbe, atij i është ndaluar hyrja në Kosovë.
“Gjyqtari për procedurën paraprake të Gjykatës së Lartë në Beograd, pasi ka dëgjuar të pandehurin M.R. për arsyet e caktimit të paraburgimit, ka refuzuar propozimin e Prokurorisë së Lartë Publike në Beograd për caktimin e masës së paraburgimit për shkaqe ligjore të parashikuara nga neni 211 paragrafi 1 pika 1 të Kodit të Procedurës Penale, d.m.th për shkak të rrezikut të arratisjes”, njoftoi Gjykata e Lartë në Beograd sipas mediumit danas.
Ndonëse krimineli Radojiçiq është i kërkuar nga autoritet në Kosovë, gjykata në Serbi ka befasuar me vendimin e saj duke i ndaluar tij hyrjen në Kosovë.
“Të pandehurit M.R. i është caktuar masa e ndalimit të daljes nga vendbanimi, e cila i ka ndaluar të largohet nga territori i Republikës së Serbisë pa miratimin e gjykatës dhe i është ndaluar të shkojë në territorin e KA Kosovë e Metohi dhe është urdhëruar të paraqitet në stacioni policor kompetent çdo 1 dhe 15 të muajit”, thuhet në vendimin e gjykatës serbe.
Sipas mediave serbe, “i pandehuri M.R. akuzohet për kryerjen e veprës penale Prodhimi, mbajtja dhe trafikimi pa leje i armëve dhe lëndëve shpërthyese nga neni 348 paragrafi 4 dhe 3 lidhur me paragrafin 1 të Kodit Penal në lidhje me veprën penale Pjesëmarrja në grup që kryen vepër penale nga neni 349 paragrafi 2 në lidhje me paragrafin 1 të Kodit penal dhe vepra penale Vepra penale kundër sigurisë së përgjithshme nga neni 288 paragrafi 2 në lidhje me nenin 278 paragrafi 1 të Kodit penal” të Serbisë.
Kujtojmë se ish-nënkryetari i Listës Serbe, njëherësh i sanksionuari i SHBA-së dhe britanisë së Madhe, Milan Radoiçiq, dje është ndaluar nga Administrata e Policisë Kriminale në Serbi dhe i është caktuar masa e ndalimit për 48 orë.
Ai pranoi publikisht se ka marrë pjesë në organizimin e grupit terrorist që ushtroi agresion ndaj Kosovës, ku në Banjskë të Zveçanit mbeti i vdekur rreshteri policor Afrim Bunjaku dhe mbetën të vdekur dy të tjerë.
-----------
Terroristi Milan Radojiçiq është liruar nga paraburgimi.
Gjykata e Lartë në Beograd, ka refuzuar propozimin Prokurorisë së Lartë Publike për të caktuar masën e paraburgimit.
Ndaj Radojiçiqit është caktuar masa e ndalimit për t’u larguar nga Serbia pa miratimin e gjykatës dhe i është ndaluar të shkojë në Kosovë, shkruan Danas.
Po ashtu, atij i është konfiskuar përkohësisht pasaporta, teksa është paralajmëruar se ndaj tij mund të caktohet masa e paraburgimit nëse i shkelë ndalesat dhe detyrimët e gjykatës.