Në rast se amerikanët vërtetojnë që stërvitja ushtarake e grupit terrorist u bë me pajisjet që para disa muajsh ata ia dhuruan ushtrisë serbe, do të ishte një goditje e rëndë për këtë të fundit. Njohës të çështjeve të sigurisë vlerësojnë se mund të ketë edhe shkëputje të bashkëpunimit mes dy ushtrive.
Amerikanët përveç që njihen si shteti me ushtrinë më të fortë në botë, veçantia e tyre është lufta ndaj terrorizmit.
Kudo në pjesë të ndryshme të globit, të parët që dalin në front për ta mposhtur këtë dukuri janë ushtarakët që në krah mbajnë këtë flamur. E me këtë synim, ata i ndihmojnë edhe shtetet e tjera. Një veprim të tillë e bënë edhe me 21 korrik të këtij viti.
66 automjete të blinduara “Humvee”, ushtria e Serbisë i mori nga ajo amerikane.
Por, përdorimi i tyre sipas fakteve të prezantuara nga shteti I Kosovës, u bë pikërisht në kundërshtim me dhënien e donacionit.
Vetëm dy muaj më pas, këto automjete dyshohet se u përdorën për të stërvitur terroristë.
Në Kopaunik grupi i kryesuar nga Millan Radoiciq, duket se stërviteshin me automjete ushtarake të dhuruara nga SHBA për ushtrinë serbe, se si të kryenin akt terrorist katër ditë më vonë në Banjskë të Zvecanit, në veri të Kosovës.
Departamenti amerikan është alarmuar me pamjet e publikuara dhe ka nisur hetime për t’i vërtetuar pretendimet.
Por në rast se një gjë e tillë vërtetohet, atëherë pritet t’I kushtojë rëndë shtetit serb.
Njohës të çështjeve të sigurisë paralajmërojnë edhe mundësinë e shkëputjes së bashkëpunimit mes ushtrisë amerikane me atë serbe.
Edhe për njohësin tjetër të sigurisë Drizan Shala, pretendimet janë serioze dhe pasojat do të jenë edhe më të rënda.
Shteti serb aksionin terrorist të 24 shtatorit po mundohet t’ia faturojë vetëm një personi.
Millan Radoiciq ka pranuar se ka qenë organizator dhe udhëheqës i sulmit, por i njëjti u ndalua të martën e u lirua të mërkurën.