Shoqëria LËVIZJA: Lojës së Serbisë me zjarrin duhet t’i jepet fund

Aktuale

Shoqëria LËVIZJA: Lojës së Serbisë me zjarrin duhet t’i jepet fund

Më: 4 tetor 2023 Në ora: 21:00
Foto ilustrim

Shoqëria LËVIZJA kërkon nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Bashkimi Evropian dhe Kombet e Bashkuara të veprojnë me masa konkrete ndëshkuese ndaj Serbisë.

Përmes një njoftimi, LËVIZJA deklaron se sulmi terrorist ndaj Kosovës “tregoi më së miri se të gjitha përpjekjet dhe investimet e fuqive të mëdha perëndimore për të kthyer Serbinë në rrugën demokratike.

“Shoqëria LËVIZJA kërkon SHBA– ja, NATO – ja, BE – ja, OKB - ja dhe nga të gjitha vendet, që janë përcaktuar dhe angazhohen për paqe, siguri e qëndrueshmëri në Kosovë, që të veprojnë pa humbur kohë me masa konkrete ndëshkuese ndaj Serbisë shoviniste e luftënxitëse. Sulmi i fundit terrorist ndaj Republikës së Kosovës tregoi më së miri se të gjitha përpjekjet dhe investimet e Fuqive të Mëdha perëndimore për ta bindur dhe kthyer Serbinë në rrugën demokratike dhe euroatlantike, duke e përkrahur, duke e joshur dhe duke e përkdhelur, ishin humbje kohe dhe të dështuara”, thuhet në njoftim.

Në njoftim theksohet se sulmi i 24 shtatorit, i orkestruar nga Serbia, ka demaskuar Vuçiqin si shkaktar i tensioneve në Kosovë.

"Sulmi terrorist ndaj Republikës së Kosovës, i organizuar dhe orkestruar nga Serbia, e demaskoi Vuçiqin dhe shtetin e tij para botës demokratike si përgjegjës dhe shkaktar të tensioneve në Kosovën Veriore dhe në rajon. Sulmi i fundit ndaj lirisë, pavarësisë dhe integritetit territorial të Republikës së Kosovës, i përgatitur dhe organizuar nga organet e specializuara shtetërore të Serbisë, e bindi pjesërisht botën demokratike se Serbia e Vuçiqit “po luan me zjarrin”, siç e tha sot një eurodeputet holandez”, thuhet në njoftimin e Shoqërisë LËVIZJA.

Shoqëria Lëvizja thekson se SHBA-të, NATO, BE dhe OKB thuhet të tregohen të vendosura përballë kërcënimeve ushtarake e destabilizuese të Serbisë.

“Zjarri që kërkon të ndezë Serbia në Kosovën shqiptare do ta digjte rajonin. Flakëve të këtij zjarri nuk do t’u shpëtonte as Europa. Një luftë e Serbisë me Kosovën në asnjë rrethanë dhe me asnjë kusht nuk mund të mbetet luftë e izoluar”, thuhet tutje në njoftim.

LËVIZJA vlerëson punën e Policisë së Kosovës pas agresionit të paprovokuar ndaj Kosovës më 24 shtator në Banjskë të Zveçanit.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat