Gazetari Baton Haxhiu tha se ekziston një grup që ka hyrë në rrugë fashiste dhe sipas tij ata janë “patriotë të tastaturës”.
Kjo deklaratë erdhi teksa komentonte reagimet për deklaratën e kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, për situatën në veri të Kosovës.
“Patriotët e tastaturës kanë hyrë në rrugën fashiste të dikursit. Sa e randë do të jetë për neve që ky diskurs fashist i këtij grupacioni po e zhvendos shoqërinë kosovare nga një shoqëri të lirë, në shoqëri të diktuar nga ky grup”, tha ai.
Haxhiu tha se nuk duhet krijuar diskurs nga të tjerët që kryeministrin shqiptar Edi Ramën ta shpallësh më shumë mik të Vuçiqit sesa të Kosovës.
“Për dallim prej të gjithë këtyre që kanë gjuhë fashiste, të pamatur dhe të paedukatë në debatet publike, Edi Rama e ka një vizion, mund të mos pajtohesh me të, por jo ta ndërtosh diskursin e tillë që ta shpallësh dikënd më shumë mik të Vuçiqit sesa të Kosovës”, tha Haxhiu.