Seanca e Kuvendit, në rend dite sërish disa marrëveshje ndërkombëtare
Kuvendi i Kosovës mban sot seancë me disa pika të rendit të ditës, ku ndër të tjera janë edhe disa marrëveshje ndërkombëtare.
Kuvendi i Kosovës po ashtu në rend dite ka edhe Shqyrtimi i dytë i Projektligjit nr. 08/L-180 për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit nr.06/L-048 për Këshillin e Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës.
PDK propozon “rezolutë për mbështetje” të Policisë, përmban tri pika
Shefi i Grupit Parlamentar të PDK’së, Abelard Tahiri, gjatë seancës së sotme ka propozuar krijimin e një rezolute për mbështetje të Policisë së Kosovës.
Tahiri tha se kjo rezolutë do të ketë tri pika.
“Në emër të Grupit Parlamentar të PDK-së, ju propozoj që ta plotësojmë ndryshojmë rendin e ditës së kësaj seance. Ashtu sic ishim unikë para një jave, të jemi unik ëqë pjesë e rendit të ditës së kësaj seance të jetë një rezolutë me të cilën do ta mbështesim Policinë e Republikës së Kosovës. Kjo Rezolutë përmbanë tri pika jashtëzakonisht të rëndësishme përmes të cilave Kuvendi i Kosovës dhe Qeveria hyjnë në një agjendë mbështetëse për Policinë e Kosovës. Me anë të kësaj rezolute, ne propozojmë që 15 ditë nga miratimi i saj të ndahen mjetet për shtesat e rrezikshmërisë për Policinë e Kosovës. Po ashtu, brenda 60 ditëve të miratohet Projektligji për pensionim të parakohshëm të zyrtarëve policorë, kurse nga 1 janari 2024 të mbulohet pagesa e sigurimit shëndetësor për zyrtarët policorë”, ka thënë Tahiri.
Deputetët përkrahin amendamentin për të drejtat e personave me aftësi të kufizuara
Pozitë dhe opozitë po përkrahin propozim amendamentin që lidhet me të drejtat e personave me aftësi të kufizuara.
Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia ka ftuar deputetët që të votojnë amendamentin kushtetutues që mundëson përfshirjen e Konventës së Kombeve të Bashkuara për të drejtat e personave me aftësi të kufizuara në nenin 22 të kushtetutës.
Vitia në seancë plenare tha se respektimi i lirive dhe të drejtave themelore të garantuara me kushtetutë dhe instrumente ndërkombëtare për të drejtat e njeriut zbatohen ndaj të gjithëve pa dallim.
“Neni 22 i kushtetutës së Republikës së Kosovës liston instrumentet ndërkombëtare për mbrojtjen e të drejtave të njeriut që aplikohen drejtpërdrejt në sistemin tonë juridik dhe kanë suplamaci mbi legjislacionin vendor. Sot po propozohet përfshirja e konventës së Kombeve të Bashkuara për të drejtat e personave me aftësi të kufizuara në listën e instrumenteve ndërkombëtare për mbrojtjen e të drejtave të njeriut të garantuara me kushtetutë si amandament kushtetutes. Pra një e drejtë që është ndërkombëtarisht e njohur, të normohet edhe me Kushtetutën e Republikës së Kosovës duke bërë amandamentimin e saj”, tha Vitia.
Ai shtoi se sistemi kushtetutes i Kosovës i ka vënë vetës detyrë parësore që t’i përmbahet detyrimeve sipas të drejtës ndërkombëtare, duke iu dhënë prioritet traktateve ndërkombëtare.
“Konventa e Kombeve të Bashkuara për të drejtat e personave me aftësi të kufizuara, fuqizon pasqyrën kushtetuese dhe ligjore, për sa i përket mbrojtjes dhe avancimit të personave me aftësi të kufizuara në të gjitha fushat. Andaj marrë parasysh sa i rëndësishëm është ky amendamentin, ju lutem dhe ju ftojë që ta votoni këtë ndryshim kushtetues”, shtoi Vitia.
Kryetari i Komisionit për Legjislacion, Adnan Rrustemi ka ftuar deputetët që amendamenti i propozuar nga qeveria të miratohet.
“Komisioni për Legjislacion ka shqyrtuar amendamentin kushtetues numër 27 që ka të bëjë me përfshirjen e Konventës së Kombeve të Bashkuara për të drejtat e personave me aftësi të kufizuara dhe nenin 22 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës. Komisioni përkrah amendamentin e propozuar numër 27 për amendamentin e kushtetutës, i vlerësuar me aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës, i cili ka konstatuar që amendamenti nuk pakëson në asnjë mënyrë të drejtat e njeriut, përkundrazi avancon dhe zhvillon ato”, u shpreh ai.
E shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri theksoi se shteti duhet të angazhohet më shumë që këta persona të jenë pjesë e institucioneve.
“Në emër të GP-së së PDK-së mbështesim dhe përkrahim shqyrtim propozimin e amendamentit kushtetues 27, që e propozon Qeveria e Kosovës. Konsiderojmë që një amendament i tillë është jashtëzakonisht i rëndësishëm, për mbështetjen e personave me aftësi të kufizuara në Republikën e Kosovës. Mirëpo, konsiderojmë që kjo nuk duhet të mbetet thjesht në plotësim-ndryshimin e dokumenteve, duke filluar nga kushtetuta e Republikës së Kosovës, si dokumenti më i rëndësishëm i republikës sonë, pastaj ligjeve, rregulloreve dhe kështu me radhë. Mirëpo, duhet të kemi një angazhim më të madh, konkret në përkrahjen financiare të këtyre personave”, deklaroi Tahiri.
Edhe Lidhja Demokratike e Kosovës ka përkrahur propozimin e ekzekutivit, por deputeti Driton Selmanaj tha se duhet të ketë veprime konkrete për përkujdesje maksimale ndaj kësaj kategorie.
“Grupi i Lidhja Demokratike e Kosovës e vlerëson iniciativën që Konventa e Kombeve të Bashkuara për personat me aftësi të kufizuara të bëhet pjesë e listës së marrëveshjeve ndërkombëtare dhe instrumenteve ndërkombëtare, të cilat kanë privalim juridik mbi çdo akt tjetër që ka miratuar dhe miratojnë institucionet e Kosovës. Po ashtu, vlerëson edhe vendimin e Gjykatës Kushtetuese, e cila konsideron me aktgjykimin e saj që kjo nismë nuk cenon ose nuk pakëson liritë dhe të drejtat e njeriut të cilat janë të përcaktuara me kapitullin 2 të kushtetutës”, u shpreh ai.
Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri tha se kjo nuk do të kalojë për shkak të bllokadës së Listës Serbe.
“Kemi një bojkotim të deputetëve të Listës Serbe. Andaj cila është detyra jonë si deputetë, përveç fjalëve të mira që i flasim dhe si qeveri, si kryeministër të veprojmë në këtë temë që jemi sot. Ne e dimë që viti 2022 ka qenë viti i personave me aftësi të kufizuara, për vitin 2022 janë bërë disa veprime. Në vitin 2023 po tentojmë ta amendamentojmë por fatkeqësisht nuk do të mundemi”, përfundoi ai.
Ai propozoi që viti i ardhshëm të jetë viti veprues për personat me aftësi të kufizuara.
Vitia fton deputetët ta votojnë propozim amandamentin që lidhet me të drejtat e personave me aftësi të kufizuara
Kuvendi i Kosovës ka filluar seancën e parë të lajmëruar për sot, e cila ka vetëm një pikë në rendin e ditës.
Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, ka thënë se në këtë pikë të ditës do të shqyrtohet propozimi i amandamentit kushtetues numër 27, që ka të bëjë me përfshirjen e konventës së Kombeve të Bashkuara për të drejtat e personave me aftësi të kufizuara në nenin 22 të Kushtetutës.
Më pas, ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka thënë se sot po propozohet përfshirja e konventës së Kombeve të Bashkuara për të drejtat e personave me aftësi të kufizuara në listën e instrumenteve ndërkombëtare për mbrojtjen e të drejtave të njeriut të garantuara me Kushtetutë si amandament kushtetues
Vitia i ka bërë thirrje deputetëve që ta votojnë këtë ndryshim kushtetues.
“Vitin 2022 e patëm shpallur si vitin e personave me aftësi të kufizuara. Respektimi i të drejtave dhe lirive themelore të njeriut të garantuara me Kushtetutë dhe instrumente ndërkombëtare për të drejtat e njeriut zbatohen ndaj të gjithëve pa dallim. Neni 22 i Kushtetutës së Republikës së Kosovës liston instrumentet ndërkombëtare për mbrojtjen e të drejtave të njeriut që aplikohen drejtpërdrejt në sistemin tonë juridik dhe kanë supremaci mbi legjislacionin vendor. Të dashur deputetë sot po propozohet përfshirja e konventës së Kombeve të Bashkuara për të drejtat e personave me aftësi të kufizuara në listën e instrumenteve ndërkombëtare për mbrojtjen e të drejtave të njeriut të garantuara me Kushtetutë si amandament kushtetues. Pra, një e drejtë që është ndërkombëtarisht e njohur, të normohet edhe me Kushtetutën e Kosovës duke bërë amandamentimin e saj. Sistemi kushtetues i Kosovës i ka vënë vetës për detyrë parësore që t’u përmbahet detyrimeve të tij sipas të drejtës ndërkombëtare duke u dhënë prioritet traktatave ndërkombëtare rajonale dhe konventave të të drejtave të njeriut të zbatuara në të drejtën vendore, në nenin 22 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës. Konventa e OKB’së për të drejtat e personave me aftësi të kufizuara fuqizon pasqyrën kushtetuese dhe ligjore për sa i përket mbrojtjes dhe avancimit të të drejtave të personave me aftësi të kufizuara në të gjitha fushat. Andaj, marrë parasysh sa i rëndësishëm është ky amandamentim, ju lutem dhe ju ftoj ta votoni këtë ndryshim kushtetues”, ka thënë Vitia.
Në këtë seancë kanë marrë pjesë edhe përfaqësuesit e shoqatave për personat me aftësi të kufizuara.
Sot Kuvendi i Kosovës mban dy seanca plenare
Kuvendi i Kosovës njoftoi se sot (e enjte) mban dy seanca plenare.
Fillimisht duke filluar nga ora 10:00 bëhet shqyrtimi i Propozim-amendamentit Kushtetues nr.27.
Më pas nga ora 10:30 vazhdon me këtë rend dite:
Miratimi i procesverbalit nga Seanca plenare e mëparshme,
Deklarimet jashtë rendit të ditës,
Votimi i Projektligjit nr.08/L-251 për ratifikimin e Marrëveshjes së financimit në mes të Republikës së Kosovës, përfaqësuar nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve dhe Bankës Evropiane për Investime për projektin “Rehabilitimi i linjës hekurudhore 10 B”,
Shqyrtimi i Projektligjit nr.08/L-252 për ratifikimin e Marrëveshjes në mes Republikës së Kosovës, e përfaqësuar nga Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural dhe Deutsche Gesellschaft für Zusammenarbeit (GIZ) GmbH, për projektin mbështetja për zhvillimin e qëndrueshëm të sektorit të bujqësisë në zonat rurale përmes diversifikimit të aktiviteteve,
Shqyrtimi i dytë i Projektligjit nr. 08/L-180 për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit nr.06/L-048 për Këshillin e Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës,
Shqyrtimi i dytë i Projektligjit nr. 08/L-211 për Verëra,
Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.08/L-250 për ndryshime klimatike,
Emërimi i dy (2) anëtarëve të Komisionit të Autoritetit të Konkurrencës të Republikës së Kosovës,
Emërimi i një (1) anëtari në Bordin e Organit Shqyrtues të Prokurimit,
Formimi i Komisionit Ad-Hoc për përzgjedhjen e kandidatëve për një (1) anëtar të Komisionit të Pavarur të Mediave, nga radhët e komuniteteve jo shumicë,
Propozimi i grupeve parlamentare për emërimin dhe zëvendësimin e anëtarëve në Komisionin Hetimor Parlamentar në lidhje me rastet e dhunës seksuale dhe dhunës në familje në Republikën e Kosovës,
Propozimi i GP të LVV-së për zëvendësimin e anëtares në Komisionin për Administratë Publike, Pushtet Lokal, Media dhe Zhvillim Rajonal.