Shkëlzen Gashi, aktivist i shoqërisë civile, ka kritikuar në Pressing të T7, kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama për qasjen e tij në raport me Kosovën.
Gashi ka thënë se Rama po i bën presion Kosovës për implementimin e Asociacionin të komunave me shumicë serbe. Për këtë ai pyeti se “çfarë halli ka Rama”.
”Pse po i jep ky zor kaq shumë për me i bë Kosovës presion me e pranu Asociacionin e komunave me shumicë serbe. Çfarë halli ka ky. Nëse po ia dëshiron të mirën Kosovës mundet me deklaru që ky është mendimi im. Pse i jep ti zor për me implementu një project që është në favor të Serbisë”, ka thënë Gashi.
Më tutje, Gashi ka deklaruar se Rama ka ardhur në pushtet dhe mbahet në të me ndihmën e oligarkëve dhe ndërkombëtarëve.
“Ky ka qenë i dëgjueshëm ndaj ndërkombëtarëve, është sjellur para ambasadorëve sikur të ishte ambasador e ata kryeministra”, ka thënë Gashi.
Madje, ai thotë se lidhja e tij me oligarkë e media tejkalon Shqipërinë, shkon edhe në Kosovë, por edhe në Serbi ( në mënyrë indirekte).
Sipas Gashit, Rama ka më shumë ngjashmëri me presidentin serb, Aleksandër Vuçiq, për shkak të sjelljes së tij edhe në raport me kontrollimin e mediave.