Kurti takohet me nënkryetarin e Bujanocit, flasin për pakicën shqiptare në Serbi

Aktuale

Kurti takohet me nënkryetarin e Bujanocit, flasin për pakicën shqiptare në Serbi

Më: 6 tetor 2023 Në ora: 12:57
Shqiprim Musliu dhe Albin Kurti

Kryeministri i vendit, Albin Kurti, ka pritur në takim nënkryetarin e Komunës së Bujanocit, Shqiprim Musliu.

Përmes një komunikate, thuhet se gjatë takimit kanë diskutuar për brengat dhe shkeljet që i përjetojnë pakica shqiptare në Serbi.

“Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, priti në takim Kryetarin e Lëvizjes së Progresit Demokratik, z. Shqiprim Musliu, njëherësh nënkryetar i Komunës së Bujanocit. Në takim u bisedua për brengat dhe shkeljet, të cilat në mënyrë të vazhdueshme i përjetojnë pakica shqiptare në Serbi, për atë se çfarë mund të bëhet së bashku për të përmirësuar këtë”, thuhet në komunikatë.

Njëherit, Kurti ka njoftuar Musliun lidhur me zhvillimet e fundit në veri, kryesisht për sulmin e 24 shtatorit në Banjskë.

“Kryeministri Kurti njoftoi nënkryetarin Musliu me zhvillimet e fundit në vend dhe situatën e sigurisë, veçanërisht pas sulmit terrorist, paramilitar dhe kriminal mbi Policinë e Kosovës, të dielën e 24 shtatorit, ku në krye të detyrës ra rreshteri i Policisë, tash Heroi i Kosovës, Afrim Bunjaku”, thuhet tutje.

Kurti dhe Musliu u dakorduan për komunikim të rregullt dhe koordinim të vazhdueshëm për çështje me interes për shqiptarët në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat