Osmani takon kryeministrin Plenkoviq: Falënderuese ndaj ushtarëve kroatë për kontributin e tyre në Kosovë

Aktuale

Osmani takon kryeministrin Plenkoviq: Falënderuese ndaj ushtarëve kroatë për kontributin e tyre në Kosovë

Më: 10 tetor 2023 Në ora: 19:37
Presidentja e vendit, Vjosa Osmani është takuar dhe me kryeministrin kroat, Andrej Plenkoviq

Gjatë qëndrimit të saj për vizitë zyrtare në Kroaci, Presidentja e vendit, Vjosa Osmani është takuar dhe me kryeministrin kroat, Andrej Plenkoviq. Kështu ka bërë të ditur Presidenca përmes një komunikate.

Në diskutim me Plenkoviq, Osmani ka theksuar nevojën që Serbia të mbahet përgjegjëse për sulmin terrorist në Banjskë, që tha se qëllim pati aneksimin e veriut të Kosovës.

“Në raport me zhvillimet e fundit në Kosovë, Presidentja Osmani ka theksuar se më 24 shtator, në Banjskë, Serbia ka kryer sulm terrorist dhe akt agresioni ndaj Kosovës me qëllim të aneksimit të veriut të Kosovës dhe destabilizimit të tërë rajonit. Prandaj, në këtë kontekst, Presidentja Osmani ka potencuar rëndësinë e mbajtjes së Serbisë përgjegjëse për aktin e saj të agresionit kundër Republikës së Kosovës”.

Në takim është folur edhe për provat që dëshmojnë se Beogradi zyrtar është drejtpërdrejt i lidhur me agresionin.

“Presidentja Osmani ka theksuar se në mënyrë që paqja të jetë e mundur në rajon, Serbia duhet t’i tërheq trupat ushtarake nga kufiri me Kosovën, ngase përbëjnë rrezik për paqen dhe stabilitetin. Për më tepër, ajo ka diskutuar me kryeministrin kroat edhe për provat e mbledhura nga policia e Kosovës që e lidhin drejtpërdrejt Serbinë me këtë sulm si dhe për bashkëpunimin e institucioneve të sigurisë me aleatët tanë në mënyrë që të parandalohet agjenda destabilizuese e Serbisë”, njofton komunikata.

Tutje, thuhet se “Presidentja Osmani ka falënderuar kryeministrin Plenković për kontributin e ushtarëve kroatë në misionin e KFOR-it në Kosovë dhe bashkëpunimin bilateral ne fushën e mbrojtjes mes Kosovës dhe Kroacisë teksa kanë diskutuar për mundësitë e thellimit të bashkëpunimit në këtë fushë”.

Shefja e shtetit ka folur edhe për aspiratat e Kosovës për anëtarësim në BE dhe NATO.

“Presidentja Osmani ka theksuar se Kosova ka prioritet shtetëror anëtarësimin në NATO edhe për shkak të sfidave të sigurisë me të cilat ballafaqohet rajoni ynë, ndërkaq potencoi edhe rëndësinë e avancimit me anëtarësimin e vendit në Këshillin e Evropës e në Bashkimin Evropian si dhe organizma të tjerë ndërkombëtar”, përfundon komunikata.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat