Policia pranoi dronë nga SHBA, Hovenier: Burim jetik për të luftuar veprimtaritë kriminale
Policia e Kosovës dhe Inspektorati Policor kanë pranuar shtatë dronë. Këto pajisje me të cilat mund të monitorohen zona të ndjeshme e të largëta, do të ndihmojnë Policinë të luftojë veprimtaritë kriminale si dhe të zgjerojë kapacitetet e saj.
Në ceremoninë e nënshkrimit ku u bë pranim-dorëzimi dronëve, ambasadori amerikan, Jeffrey Hovenier, rikonfirmoi mbështetjen afatgjatë për institucionet e Kosovës.
Ambasadori Hovenier tha se me këto fluturake do të rritet edhe siguria publike dhe sipas tij mund të ketë reagim më efikas ndaj incidenteve.
Hovenier: Dronët do të jenë burim jetik i organeve të zbatimit të ligjit për të luftuar veprimtaritë kriminale
“Duke marrë shkallën e veprimtarive kriminale të grupit të krimit të organizuar të cilat janë në rajon, këto sisteme të fluturakeve pa pilot do të jenë një burim jetik i organeve të zbatimit të ligjit në Kosovë për të luftuar veprimtaritë kriminale të cilat zhvillohen edhe në tokë edhe në ajër, sepse këto pajisje do të sigurojnë mbikëqyrje si dhe ofrojnë mbështetje taktike dhe siguri të perimetrit për misionet policore. Mund të monitoroni zona të ndjeshme dhe të largëta që po përdorën për kontrabandim të emigrantëve, për trafikim të fshehtë të lëndëve narkotike, dhe aktivitete të tjera të paligjshme të kontrabandës. Gjithashtu mund të ndihmojë në mbledhjen e dëshmive përmes regjistrimit të pamjeve e të cilat pastaj mund të ndihmojë në zgjidhjen e rasteve penale nëpër gjykata të Kosovës”, tha Hovenier.
Diplomati amerikan tha se ky donacion është manifestim shtesë i besimit që Shtetet e Bashkuara e kanë në Republikën e Kosovës për të kryer misione të pavarura në zbatim të ligjit.
Hovenier: Mbështetja amerikane dëshmon përkushtimin tonë afatgjatë për zhvillimin e Policisë së Kosovës
“Ky donacion si dhe mbështetja jonë e vazhdueshme për zbatimin e ligjit në Kosovë pasqyron përkushtimin tonë afatgjatë për zhvillimin e Policisë së Kosovës si dhe të Inspektoratit Policor të Kosovës dhe është manifestim shtesë i besimit që Shtetet e Bashkuara të Amerikës e kanë në Republikën e Kosove për të kryer misione të pavarura në luftën narkotikëve dhe në zbatim të ligjit. Mbështetja jonë për Inspektoratin Policor të Kosovës gjithashtu tregon se ne japim prioritet transparencës dhe llogaridhënies së oficerëve të zbatimit të ligjit gjatë aksioneve të tyre në përkrahje të zbatimit të ligjit. Prandaj ne do të vazhdojmë të punojmë me Policinë e Kosovës për të çuar përpara përkushtimin tonë të përbashkët, për të ofruar shërbime transparentë e të përgjegjshme të zbatimit të ligjit nga të cilat përfitojnë të gjithë qytetarët e Kosovës”, tha ai.
Ai ka përgëzuar PK-në dhe IPK-në për punën e tyre duke theksuar se kanë vënë standard të lartë jo vetëm në Kosovë por edhe në tërë rajonin.
Në anën tjetër, drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, përmendi sulmin serb të 24 shtatorit në Banjskë të Zveçanit ku mbeti i vrarë rreshteri i Policisë së Kosovës Afrim Bunjaku. Ai tha se Ambasada Amerikane ka qenë mbështetësi kryesor i Kosovës.
Hoxha: E vlerësojmë mbështetjen e Ambasadës Amerikanë gjatë ditëve të rënda kur humbën rreshterin Afrim Bunjaku
“Ka qenë një nga mbështetësit kryesor të Policisë së Kosovës por edhe Kosovës si shtet, andaj ne e çmojmë dhe vlerësomë lartë gjithë mbështetjen që Ambasada Amerikane e ka dhënë përgjatë viteve për Policinë e Kosovës, në veçanti gjatë ditëve të rënda që i kemi pasur gjatë javëve të kaluara ku ne humbën rreshterin tonë Afrim Bunjaku. Ambasadori ka qenë mbështetës kryesor, ka qenë në çdo ceremoni dhe ka qenë aty ku duhet me qenë për të dhënë mbështetjen në emër të qeverisë amerikane për Policinë e Kosovës dhe për shtetin tonë”, tha Hoxha.
Fluturaket pa pilot, Hoxha u zotua se do të përdoren vetëm për qëllime të ligjshme derisa shtoi se “transparenca e operacionit të datës 24 ka bërë që Policia e Kosovës të gëzojë respektin për punën që ka bërë atë ditë, kjo është bërë përmes filmimeve që ne kemi marrë nga dronët”.
Hoxha: Donacioni amerikan do të ndikojë në ngritjen e kapaciteteve të Policisë së Kosovës
“Është donacion i nevojshëm dhe i çmueshëm nga Policia e Kosovës dhe do të ndikojë pozitivisht në ngritje ne kapaciteteve të Policisë për të menaxhuar situata në teren si nga aspekti i menaxhimit të eventeve të mëdha, protestave, koncerteve, manifestimeve publike, po ashtu në monitorimin e kufijve të Kosovës dhe në operacione tjera të hetimit që Policia e Kosovës do t’i kryejë në të ardhmen. Janë dronë dhe pajisje të cilat janë përzgjedhur dhe selektuar nga ekspert të Policisë së Kosovës në bashkëpunimin me ekspertë të qeverisë amerikane. Unë mund të garantoj ambasadorin dhe të gjithë të tjerët që Policia e Kosovës të gjitha këto donacione dhe pajisje do t’i përdorë vetëm me qëllime të ligjshme me qëllim që të ofrojë shërbime sa më cilësore për të garantuar një jetë sa më të sigurt dhe të qetë brenda territorit të Kosovë”, tha Hoxha.
Dronët do të ndihmojnë edhe në mbështetje të operacioneve të kërkim-shpëtimit, në menaxhimin e fatkeqësive si dhe në monitorimin e turmave dhe të trafikut.
Kryeshefi ekzekutiv i IPK-së, Kushtrim Hodaj, tha se rastet e fundit në veri treguan rëndësinë e bashkëpunimit dhe koordinimit.
Hodaj: Rastet e fundit në veri treguan sa e domosdoshme është që Policia e Kosovës të jetë në nivel të lartë profesional
“Rastet ë fundit në veri treguan se sa e domosdoshme është që Policia e Kosovës të jetë në niveli ne lartë profesional, dhe sa i rëndësishëm është bashkëpunimi, koordinimi dhe shkëmbimi i inf0prmaiconeve për të evituar çfarëdo lloj rreziku që cenon sigurinë publike në Kosovë”, tha ai.
Donacioni i dronëve është projekt i përbashkët në mes të INL- DOS dhe ICITAP-DOJ, pranë Ambasadës së Shteteve të Bashkuara në Prishtinë.