Pas përfundimit të seancës gjyqësore ndaj Ministres Rozeta Hajdari, përfaqësuesi i palës së dëmtuar, avokati Florim Shefqeti para mediave ka deklaruar se gjatë seancës është bërë marrja në pyetje e ekspertëve.
Avokati Shefqeti tha se kanë pasur vërejtjet dhe sugjerimet e tyre në raport me mos konstatimin e gjendjes teknike të automjetit.
“Dhe ajo që është thënë nga ekspertët ajo ka qenë detyrë e Policisë së Kosovës, që të bëhet kontroll teknike e jashtëzakonshme”, shtoi ai.
I njëjti tha se siç është konstatuar nga raporti i Policisë nuk ka pasur fare gjurmë të frenimit, e që kjo sipas tij, është konstatuar dhe nga ekseprtët në ekspertizë.
Tutje, avokati Shefqeti tha se ekspertët në ekspertizë kanë konstatuar se automjeti i parkuar e ka penguar shikimin, duke shtuar se “e pandehura ka deklaruar se fëmijët i ka parë duke dal nga marketi”.
“Pra, prej daljes nga marketi deri te rruga është një distancë fizike e për të cilën ne dyshojmë se në kushte normale është dashur të ketë reagim nga secili drejtues i automjetit..”, tha në fund ai.