Kusari-Lila: Duhet të ketë reflektim nga Lajçak e Borrell për kthim në dialog

Aktuale

Kusari-Lila: Duhet të ketë reflektim nga Lajçak e Borrell për kthim në dialog

Më: 12 tetor 2023 Në ora: 00:13
Mimoza Kusari-Lila

Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, ka thënë se në procesin e dialogut janë disa probleme përmbajtjesore.

Ajo ka thënë se Kosova është nën masa nga Këshilli i BE-së, ndërsa nuk ka veprime ndaj Serbisë e cila ka shkaktuar dhunë e vrasje.

Kusari – Lila ka thënë se duhet të ketë reflektim nga kryenegociatori Miroslav Lajçak dhe përfaqësuesi i Lartë për Politikë të Jashtme dhe Siguri i BE-së, Josep Borrell që të ketë kthim në dialog.

“Janë disa probleme përmbajtjesore në procesin e dialogut.  E para është se në tavolinën në situatën aktuale është një Kosovë me masa të vendosura nga Këshilli Evropian dhe një Serbi e cila ka shkaktuar dhunë, vrasje, të vazhdohet të bëhet biznes si kur çdo ditë tjetër, nuk ka mundësi. Me defekte serioze dhe dështime spektakulare të kryenegociatorit Lajçak të Borrell, pa asnjë reflektim mbi qasjen që e kishim deri më tash në proces, natyrisht nuk mund të kthehemi me parametrat në dialog. Duhet të ketë një reflektim”, ka thënë Kusari-Lila.

Ajo po ashtu e ka cilësuar si shumë të papërgjegjshme deklaratën e zëdhënësit të BE-së, Peter Stano, cili tha se Kosova  nuk ka bërë sa duhet për de-përshkallëzimin e situatës në veri.

“Është tërësisht  e papërgjegjshme një deklaratë e zëdhënësit të BE-së të thuhet se Kosova nuk ka bërë mjaftueshme për de-përshkallëzimin e situatës në veri. Kush eskaloi situatën në veri?. Nuk ishin autoritetet e Kosovës, as Qeveria as Policia dhe asnjë institucion tjetër i cili ka përgjegjësi”, tha ajo.

Edhe pas sulmit terrorist të 24 shtatorit nga grup serb në veri të Kosovës, BE e ShBA kanë bërë thirrje që Kosova dhe Serbia t’i kthehen dialogut.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat