Ambasadori i ri i Republikës së Kosovës në Bullgari, Haxhi Bajraktari në një ceremoni solemne, me nderime të larta shtetërore ka dorëzuar letrat kredenciale tek Presidenti i Republikës se Bullgarisë, Rumen Radev.
Ambasadori i posaemëruar Bajraktari, derisa dorëzoi kredencialet tek Presidenti Radev, i përcjelli përshëndetjet më të ngrohta të Presidentes së Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani –Sadriu.
“Me krenari të veçantë jam sot këtu për të shërbyer në cilësinë e ambasadorit të Republikës së Kosovës në një vend mik, Republikën e Bullgarisë. Institucionet dhe populli i Kosovës do ta kujtojnë gjithmonë ndihmën e Bullgarisë në kohën më të vështirë të historisë sonë moderne, në vitin 1999, njohjen e Pavarësisë së Kosovës, në vitin 2008 dhe mbështetjen e vazhdueshme të Bullgarisë për Republikën e Kosovës në rrugën e saj të shtet ndërtimit”.
Në ketë kontekst Ambasadori Bajraktari përmendi edhe reagimin e Bullgarisë, respektivisht Presidentit Radev i cili ishte njëri ndër liderët e parë që reagoi dhe u solidarizua me Kosovën pas ngjarjeve të muajit të kaluar që ndodhen në veri të vendit.
“Një tjetër shenjë miqësie që Bullgaria ka treguar së fundmi është edhe dita kur Kosova u përball me një akt agresioni që rrezikoi jo vetëm sigurinë tonë, por edhe stabilitetin rajonal. Andaj, i nderuar President, populli dhe institucionet e Kosovës te janë mirënjohës dhe besojmë thellësisht se me angazhimin tonë dhe me ndihmën e miqëve, siç është vendi juaj do ta kapërcejmë këtë situatë”.
Në kuadër të ceremonisë, në takimin e veçantë, Presidenti i Bullgarisë Rumen Radev i uroi ambasadorit Bajraktari mirëseardhje dhe shprehu bindjen se marrëdhëniet e mira ekzistuese ndërmjet dy vendeve do të thellohen edhe më tej, duke venë theksin tek lidhjet ekonomiko-energjetike si fusha më interes të veçantë për të dyja vendet.
Në ketë linjë Ambasadori Bajraktari tha se gjatë misionit të tij do të fokusohet në thellimin e marrëdhënieve dypalëshe, qoftë ato në dimensionin politik e po ashtu edhe ekonomike e kulturore.
“Besoj se Kosova do ta ketë mbështetjen tuaj në rrugën drejt integrimit në NATO dhe BE, procese këto që përbëjnë agjendën kryesore të Qeverisë dhe ku institucionet e Republikës së Kosovës po punojnë me shumë përkushtim, duke e parë ketë si një mundësi për prosperitet dhe paqe në Ballkanin Perëndimor”.
Përgjatë ceremonisë, Presidenti Radev ka prezantuar kabinetin e tij duke ritheksuar edhe njëherë gatishmërinë për bashkëpunim dhe duke shprehur mirëseardhje Ambasadorit dhe familjes së tij!
Në përfundim të ceremonisë, Ambasadori Bajraktari, në shenjë respekti dhe nderimi ka vendosur kurorë me lule tek monumenti “Ushtari i Panjohur”.
