​Rrezarta Krasniqi: Serbia të heqë dorë nga përkrahja dhe strehimi i kriminelëve serbë

Aktuale

​Rrezarta Krasniqi: Serbia të heqë dorë nga përkrahja dhe strehimi i kriminelëve serbë

Më: 13 tetor 2023 Në ora: 21:17
Foto nga vendi i ngjarjes

Kryetarja e Komisionit për Integrim Evropian, Rrezarta Krasniqi, ka marrë sot pjesë në Konferencën parlamentare në Tiranë “Roli i Parlamenteve në Procesin e Berlinit”, bashkorganizuar nga Kuvendi i Shqipërisë dhe projekti Diplomacia parlamentare: “Bashkëpunimi rajonal përmes dialogut të intensifikuar parlamentar", i mbështetur nga Gjermania dhe i udhëhequr nga Demokracia për Veprim.

Përmes kësaj konference gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor kanë diskutuar lidhur me nevojën e inkuadrimit të dimensionit parlamentar në kuadër të procesit të Berlinit.

Deputetja Krasniqi theksoi se Kosova është vend demokratik dhe e përkushtuar në rrugëtimin integrues evropian, përmirësimin e jetës së qytetarëve dhe orientimin perëndimor euro-atlantik, në përkrahje dhe të rreshtuar me SHBA-në, NATO-n dhe BE-në.

Ajo gjithashtu ka ngritur shqetësimin se më 24 shtator në Banjskë në Komunën e Zveçanit, është kryer një sulm terrorist serb, të cilët kanë qenë të pajisur me armatime, maska dhe uniforma, ku kanë vrarë një polic dhe kanë plagosur dy të tjerë.

Duke e dënuar ashpër këtë sulm terrorist, Krasniqi ka kërkuar nga Serbia që të heqë dorë nga përkrahja dhe strehimi i kriminelëve serbë dhe t`i ekstradojë sa më shpejtë në shtetin e Kosovës.

Kryetarja e komisionit ka shtuar se nëse Serbia vazhdon të mbështesë këta kriminelë dhe nuk i dorëzon që të përballen me drejtësinë, atëherë kjo është një dëshmi e qartë se ajo ende çalon duke mos respektuar parimet e bashkëpunimit rajonal dhe ndërfqinjësor, promovimi i të cilave është arsye pse mbahen konferenca të tilla.

Procesi i Berlinit ka një mbështetje të plotë nga Komisioni për Integrim Evropian i Kuvendit të Republikës së Kosovës, pasi që është organizimi i vetëm i cili ka treguar suksese konkrete në raport me gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor.

Në fund të takimit, pjesëmarrësit nga Shqipëria, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Bonja-Hercegovina dhe Serbia u dakorduan për një deklaratë të përbashkët që të avancojnë edhe më tej bashkëpunimin ndërparlamentar në kuadër të procesit të Berlinit, thuhet në një postim të Kuvendit të Kosovës në Facebook.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat