Gjykata Speciale ka aprovuar kërkesën e kryetarit të OVL-UÇK-së, Hysni Gucatit, për lirim të parakohshëm nga burgu në Hagë. Kjo është konfirmuar ushtruesi i detyrës i OVL-UÇK-së, Faton Klinaku. Megjithatë, i njëjti fat nuk i priu edhe Nasim Haradinajt kërkesa e të cilit, sipas avokatëve, pritet të rishqyrtohet pas dy muajve.
“Unë këtë lajm e di prej dje, nga ana e avokatëve. Pra, është marrë vendim për lirimin e Hysni Gucatit. Për Nasimin jo. Për Nasimin kanë thënë se do të rishqyrtohet vendimi pas dy muajve”, ka thënë Klinaku.
Së fundmi ka reaguar Gjejlone Haradinaj bashkëshortja e nënkryetarit të OVL-UÇK-së.
Ajo, përmes statusit në Facebook, ka konfirmuar se nuk është liruar Haradinaj derisa shprehu edhe njëherë dyshimet rreth drejtësisë nga Gjykata Speciale.
“Sot e morëm lajmin nga Avokati se Nasimin se kanë lirue. S'pritet drejtësi nga Gjykata që merret me thashethemet e rrjeteve sociale. Sa i qetë dhe krenar ishe kur folëm në telefon. Asnjë padrejtësi nuk ia arriti më të mposhtë. Kjo më jep edhe mu forcë dhe durim. Je krenaria jonë“, ka shkruar Haradinaj.