Kryetari i Preshevës, Shqiprim Arifi përmes një postimi në Facebook ka ironizuar Faton Bislimin, ish-anëtar i Kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës.
Ky ironizim vjen pasi Bislimi ka shkruar për lobimet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës lidhur me të drejtat e shqiptarëve në Luginë të Preshevës, përcjell “Bota sot”.
Arifi në një postim në Facebook shkruan se gjatë vizitës në SHBA nuk e gjetën as Bislimin, e as kompaninë e tij që merren me lobim.
Sipas tij, në adresen që ka dhënë Bislimi qëndron një këmbimore dhe jo organizatë që ndihmon shqiptarët.
Postimi i plotë
Nga vizita e fundit e frytshme në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, nuk mundëm pa e vizituar edhe një nga organizatat në Washington, që viteve të fundit ndihmoi që "të lobohet" për shqiptarët e Luginës së Preshevës.
Gjatë vizitës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, nuk mundëm pa e vizituar edhe kompaninë Washington International Affairs në Washington D.C., në pronësi të Faton Bislimit, që viteve të fundit po ndihmon politikanët e Luginës që "të lobohet" për shqiptarët e Luginës së Preshevës.
Duke pasur parasysh se një pjesë e konsiderueshme, mbi 125,000.00 €, nga Fondi për Luginën të ndarë nga Qeveria e Kosovës përfunduan në xhirollogarinë e Faton Bislimit, e bëri edhe më të domosdoshme vizitën tek kompania.
Por, aty nuk gjetëm as pronarin, e as kompaninë. Në vend të kompanisë Washington International Affairs dhe Faton Bislimit, gjetëm zyre të fotokopjes dhe shërbimeve postare!