Profesori i Universitetit të Parisit, Nezir Kraki konsideron se vizita e presidentit francez Emmanuel Macron në Shqipëri është lajm fantastik dhe provë e fortë e «rikthimit» të Francës në Ballkan.
Në një postim në Facebook, Kraki shkruan se bashkë me rikthimin e Francës ne Ballkan është edhe ndryshimi drastik i pozicionit francez sa i përket zgjerimit të BE-së.
“Ky ndryshim na duhej dhe një dinamike e re evropiane i duhej rajonit sepse BE nuk ka opsion tjetër më të logjikshëm sesa mbylljen e ciklit te zgjerimit me pranimin en bloc të 6 vendeve tona.
Dhe kjo duhet të jetë linja e te gjitha vendeve tona sot dhe nesër në Tiranë, tash që ideja serbo-ruse e Ballkanit të hapur dështoi duke e riaktivizuar Procesin e Berlinit ne versionin e tij më të mirë dhe më të duhur”, vlerëson Kraki.
Sipas tij, edhe pse Edi Rama nuk dëshiron të qortohet Serbia, në këtë samit duhet t’i kërkohet Be-së qartësi dhe vendosmëri në raport me veprimet destabilizuese dhe sabotuese të Beogradit.
“Se nuk do ketë integrim normal dhe te shpejt nëse Serbia e mban si synim të vetëm të sajin ripushtimin e Kosovës ose të një pjese të saj. S’ka logjike dhe nuk duhet të pranohet sabotimi i të gjithë procesit integrues të 5 vendeve tjera për teke dhe taktika luftënxitëse të Vuçiqit.
Prandaj duhet të kërkohet mbyllja sa më e shpejt e dialogut Kosovë-Serbi duke e obliguar Serbinë ta respektoje marrëveshjen e dakorduar ne Bruksel dhe Ohër. Duke i kërkuar heqje dorë definitive nga pretendimi territorial mbi një shtet sovran”, përfundoi Kraki.