Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Jeffrey Hovenier vlerësoi kontributin e jashtëzakonshëm për paqe të ish-presidentit finlandez, Martti Ahtisaari, i cili vdiq sot.
Hovenier në vitin 2006 ishte anëtar i ekipit të OKB-së të udhëhequr nga Ahtisaari dhe thotë se ka mësuar e është frymëzuar nga ai.
“Unë bashkohem me popullin e Finlandës, Kosovës dhe anembanë globit në zi për vdekjen e ish-presidentit finlandez Martti Ahtisaari. Ai ia kushtoi jetën paqes dhe drejtësisë dhe dha një kontribut të jashtëzakonshëm për stabilitetin dhe sigurinë në Kosovë dhe rajon”, shkroi Hovenier.
“Isha i nderuar të shërbeja si anëtar i ekipit të tij, duke mësuar dhe duke u frymëzuar nga një paqebërës i vërtetë”, shtoi ai.
Hovenier kishte qenë pjesë e ekipit e OKB-së të udhëhequr nga i dërguari special Martti Ahtisaari që ishte përgjegjës për negociatat e statusit të vendit që do të bëhej shtet.