Presidentja Vjosa Osmani deklaroi se procesi i dialogut duhet të rimendohet, pas agresionit të Serbisë në Banjskë të Zveçanit. Sipas saj, Komisioni Evropian duhet të dalë me propozime konkrete rreth masave ndaj Serbisë. Kryetarja e shtetit theksoi se po presin nga shtetet anëtare të përfundojnë procedurat për konfirmimin e informacioneve dhe të ndërmarrin masa konkrete.
Kështu deklaroi ajo në konferencë për media, teksa bëri të ditur edhe mos-dekretimin e kryeprokurorit të shtetit, Blerim Isufaj.
Presidentja Vjosa Osmani tha se hetimet e institucioneve të Kosovës kanë dëshmuar se Serbia qëndron prapa aktit të agresionit më 24 shtator.
Osmani: Presim masa konkrete nga shtetet anëtare
“Hetimet e institucioneve të Republikës së Kosovës të mbështetura edhe nga partnerët ndërkombëtarë tashmë kanë dëshmuar, edhe përtej dyshimit të bazuara, kanë dëshmuar tepër qartë që Serbia qëndron prapa sulmit dhe aktit të agresionit të 24 shtatorit. Janë katër elemente thelbësore që e lidhin Serbinë me këtë sulm dhe e qojnë përgjegjësinë apo lidhjen komanduese deri tek presidenti Vuçiq, e para ka të bëjë me financimin e strukturave për të cilat ka dëshmi tashmë të evidentuara edhe muaj më parë, jo vetëm 24 shtatorit. E dyta ka të bëjë me armët të cilat janë prodhuar në industrinë ushtarake të Serbisë dhe janë dhënë nga shteti serb për terroristët që e kanë kryer sulmin. E treta ka të bëjë me trajnimet të cilat tashmë as shteti serb nuk e mohon që i ka bërë për këto grupe terroriste dhe e katërta ka të bëjë me involvimet dhe lidhjet politike të vet shtetit serb me terroristët që e kanë udhëhequr këtë sulm. Prandaj nuk ka më një dyshim. Unë e kuptoj që shtetet anëtare veç e veç mund t’i kenë procedurat për konfirmim të informacioneve, megjithatë presim që sapo të përfundojnë ato procedura dhe të ndërmerren masa konkrete”, deklaroi Osmani.
Osmani teksa u pyet se a duhet Kosova t’i kthehet dialogut me Serbinë, deklaroi se ky proces duhet të rimendohet në suaza të asaj që ka ndodhur më 24 shtator.
Osmani: Dialogu duhet të rimendohet në suaza të asaj që ka ndodhur më 24 shtator
“Ndërmarrja e masave lidhet drejtpërdrejt edhe me atë që quhet ‘parimi i mësimeve të mësuara’. Tashmë janë bërë më shumë se 12 vjet në dialog dhe është koha për reflektim, sepse qasja e marrë parasysh përgjatë këtyre 12 viteve për fat të keq e ka inkurajuar Vuçiqin që ai të përdor dhunë dhe të krijojë akt agresioni në raport me Kosovën. Prandaj nuk mund të sillemi kinse nuk ka ndodhur 24 shtatori, duhet të ketë mësime të mësuara dhe i gjithë procesi i dialogut tani të rimendohet në suaza të asaj që ka ndodhur me 24 shtator duke e ditur që është shkelje e qartë e nenit 3 të marrëveshjes të dakorduar me 27 shkurt dhe aneksit të saj në Ohër me 18 mars”, shtoi ajo.
Tutje, Osmani deklaroi se Komisioni Evropian duhet të dalë me propozime konkrete rreth masave ndaj Serbisë.
Osmani: Komisioni Evropian të dalë me propozim konkret rreth këtyre masave
“Ne jemi duke propozuar masa, deri tani një numër i shteteve anëtare kanë dhënë sinjale pozitive që janë duke shqyrtuar një gjë të tillë. Disa janë shumë më insistuese në këtë punë se sa të tjerët. Por është me rëndësi që Komisioni Evropian të dalë me propozim konkret rreth përket këtyre masave dhe me gjitha këto argumente që ata i kanë para tyre, do të ishte vërtetë dëm i madh për paqen dhe stabilitetin në rajon dhe dëm i madh edhe për vet procesin e dialogut, në qoftë se nuk ndërmerr asnjë masë në raport me Serbinë. Çështja e dytë është çështja e masave bilaterale, shtetet anëtare të Bashkimit Evropian por edhe shtetet e komunitetit transatlantik në përgjithësi kanë mundësinë që të vendosin masa bilaterale sa i përket masave të shumta, bashkëpunimit të shumtë në shumë fusha që ata e kanë me Serbinë. Edhe për këtë gjë nuk i duhur miratim në nivel të Këshillit të BE-së”, përfundoi ajo.