Njësia Speciale dhe EULEX janë duke kontrolluar dy shtëpi në afërsi të Komunës së Leposaviq, në kuadër të bastisjes që është duke u zhvilluar.
Siç bëhet e ditur të dyja këto shtëpi kanë të vendosura kamerat e sigurisë dhe se Njësia Speciale e EULEX kanë hyrë me vetura në oborr të tyre për të kryer bastisjen.
Ndryshe, Policia e Kosovës ka mbyllur mbi 20 rrugë ilegale përgjatë kufirit me Serbinë.
Zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Veton Elshani bëri të ditur për teve1.info se disa prej tyre janë bllokuar me blloka betoni.
“Janë mbi 20 rrugë ilegale që i kemi blloku. Diku me blloka betoni, diku me bager i kemi hap gropa dhe janë blloku ato rrugë”, deklaroi ai.
Që nga mëngjesi, Policia e Kosovës është duke zhvilluar aksion në disa lokacione në veri të Kosovës. Deri tani nuk raportohet për të arrestuar.
Ditë më parë, Policia ka kryer bastisje edhe në tre lokacione në Mitrovicë të Veriut, tre në Zveçan dhe një në Banjskë.
Aksioni lidhet me sulmin terrorist të 24 shtatorit, ku një grup i armatosur serb sulmoi Policinë e Kosovës, me ç’rast mbet i vrarë rreshteri, Afrim Bunjaku.