Avokati Tomë Gashi përmes një postimi në Facebook ka shkruar në lidhje me dështimin e sistemit juridik në identifikimin e grupit terrorist vendor.
Sipas tij, zbulimi për vrasjen e Astrit Dehari nga organet përgjegjëse po mungon, përcjell “Bota sot”.
“Ose gjeni vrasësit e Astrit Deharit, ose deklarohuni publikisht të paaftë për ta bërë këtë”, shtoi ndër të tjera ai.
Postimi i plotë
Sistemi juridik dështon në identifikimin grupit terrorist vendor!
Grupi terrorist, i organizuar mirë, i cili vrau Astrit Deharin më 05.11.2016, ende nuk është identifikuar nga Policia e Kosovës e as nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës.
Organet ligj-zbatuese të Kosovës fare lehtë po i identifikojnë grupet terroriste të cilat kanë vepruar dhe ende veprojnë në veriun e Kosovës, e grupet terroriste të ardhura nga Serbia – siç ishte grupi terrorist i 24 shtatorit të këtij viti, madje edhe po i vrasin këta terroristë - mirë po ua bëjnë. Por, të njejtat organe (kaq) efikase në raport me identifikimin e grupeve terroriste të Serbisë, kanë dështuar 100% në identifikimin e grupit terrorist që vrau aktivistin e Lëvizjes VETËVENDOSJE! Astrit Dehari, me 05.11.2016, në Qendren e Paraburgimit në Prizren.
Astrit Dehari është vrarë në një institucion shtetëror dhe shteti është përgjegjës për vrasjen e tij!
Ose gjeni vrasësit e Astrit Deharit, ose deklarohuni publikisht të paaftë për ta bërë këtë - sepse, për pak dite do të bëhen 7 vite nga vrasja e Astritit, në duar të shtetit, e për arsye 100% politike.