Ish-Përfaqësuesi Special i Bashkimit Evropian në Kosovë, Pieter Feith, gjatë një interviste për tëvë1, ka thënë se ka ardhur koha që Serbia ta kuptojë faktin se Kosova ekziston dhe se është fqinj i saj. Mes tjerash, ai ka deklaruar se formimi i Asociacionit të Komunave me shumicë serbe, nuk paraqet rrezik për funksionimin e institucioneve të Kosovës.
Ish-Përfaqësuesi Special i Bashkimit Evropian në Kosovë, Pieter Feith, vlerëson se dialogu mes Kosovës dhe Serbisë është ndërlikuar dhe më shumë pas asaj çfarë ndodhi më 24 shtator, kur u sulmua policia e Kosovës nga një formacion terrorist.
Feith thotë se të dyja palët duhet të kenë më shumë vullnet për t’i normalizuar marrëdhëniet.
“Sulmi ndaj policisë së Kosovës në veriun e vendit ishte i mjerueshëm. Është për keqardhje se qytetarët tani duhet t’i vuajnë pasojat e asaj ngjarje. Jam shumë i interesuar të kuptojë nëse ky sulm ndaj policisë së Kosovës e kishte mbështetjen e Beogradit. Natyrisht që ngjarja e 24 shtatorit i dha një goditje të fortë procesit të dialogut që po ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian. Tani kërkohet një vullnet i madh nga të dyja palët që të rikthehen në tavolinën e bisedimeve”, tha Pieter Feith.
Diplomati holandez thotë se Serbia duhet ta kuptojë faktin se Kosova ekziston dhe se është aty për të qëndruar.
“Nuk ka ndonjë alternativë tjetër përveç dialogut dhe këtë e kanë bërë të qartë komuniteti ndërkombëtar. Miroslav Lajçak dhe Josep Borrel, kanë shprehur gatishmëri që t’i ndihmojnë Kosovës dhe Serbisë t’i normalizojnë marrëdhëniet. Është shumë e rëndësishme për Serbinë që ta kuptojë faktin se Kosova ekziston dhe do të qëndrojë aty, prandaj është mirë për vet Serbinë që t’i normalizojë marrëdhëniet me fqinjin. Në anën tjetër, kryeministri Albin Kurti, duhet ta kuptojë se formimi i Asociacionit të Komunave me shumicë serbe nuk do rrezikojë funksionimin e shtetit të Kosovës”, u shpreh ai.
Feith, thotë se formimi i Asociacionit nuk e rrezikon funksionimin e shtetit për shkak se duhet të jetë në përputhje me ligjet e Kosovës.
Ai tutje shprehet i bindur se ndërmjetësuesit e dialogut janë duke e bërë gjënë e duhur.
“Kosova duhet ta kuptojë se formimi i Asociacionit është në interesin e saj dhe nuk ka pse të jetë ndryshe. Po e nënvizoj edhe njëherë që Asociacioni nuk do ta rrezikojë funksionimin e institucioneve të Kosovës, sepse duhet të jetë në përputhje me ligjet e Kosovës. Ata që janë duke e ndërmjetësuar dialogun kanë eksperiencë të madhe dhe jam i bindur se janë duke e bërë gjënë e duhur”, deklaroi Feith.
Komuniteti ndërkombëtar i ka bërë thirrje Kosovës dhe Serbisë që të kthehen në tavolinën e bisedimeve.
Nga blloku evropian kanë konfirmuar tashmë se me 21 tetor, përfaqësuesi i posaçëm i BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak, i shoqëruar nga këshilltarët e lartë të liderëve të Gjermanisë, Francës, Italisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, do të udhëtojnë në Kosovë dhe Serbi.