Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, tha se sulmin e 24 shtatorit në veri të vendit ishte sulm terrorist dhe akt agresioni. Në një intervistë për emisionin “Fokus” në Radio Kosovë, ai deklaroi se presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq ka qenë në dijeni për këtë sulm dhe se është tallje nëse mohohet kjo. Ndërsa sa i përket vazhdimit të dialogut, ai tha se formati i tij duhet të ndryshojë pas ngjarjeve të fundit.
Ngjarja e 24 shtatorit e ka kthyer prapa të gjithë procesin, deklaroi Kunjufca, duke theksuar se tashmë formati i dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë duhet të ndryshojë.
Ndër të tjera, Konjufca foli edhe për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, për çka tha se këtë herë nuk do të bëjnë të njëjtin gabim, dhe se përvoja e keqe nga e kaluara, sipas tij e bëjnë që kryeministri Kurti të mbajë pozicione me të forta sa i përket Asociacionit.
Konjufca foli edhe për Listën Serbe, pasi nënkryetari i saj, Milan Radojçiq u deklarua se ishte lideri i grupit terrorist dhe financues i këtij grupi.
“Lista Serbe duhet ta ketë vetëm një hall, se a do të regjistrohen prej Komisionit Qendror të Zgjedhjeve apo jo, sepse nënkryetari i partisë i takon një grupi terrorist”, deklaroi ai.
Serbët, sipas Konjufcës, duhet të formojnë një parti e cila nuk ka lidhje me terroristët.
Kryeparlamentari Konjufca tha se kësaj radhe Serbia duhet të pajtohet që Asociacioni duhet të jetë në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Kosovës.