Një ditë pasi presidentja e vendit, Vjosa Osmani bëri publik vendimin me të cilin nuk e dekretoi kandidatin për kryeprokuror të shtetit, Blerim Isufaj, ka reaguar ish prokurori Elez Blakaj.
Blakaj nëpërmjet një postimi në Facebook ka shkruar se shkeljet e evidentuara gjatë procesit të monitorimit në përzgjedhjen e Kryeprokurorit të Shtetit, nga institucionet dhe mekanizmat ndërkombëtarë, por edhe shoqëria civile, nuk kalojnë tek institucioni i Presidentit të Shtetit!
Sipas tij, presidentja me vendimin e saj ka ushtruar kompetencat saj në mbrojtje të integritetit dhe autoritetit funksional të Institucionit të Prokurorit të Shteti.
Por se Blakaj e konsideron të pakuptueshme se si Gjykata Kushtetuese përdor “standarde të dyfishta” për raste të njëjta.
Postimi i plotë:
Shkas & Pasojë
Shkeljet e evidentuara gjatë procesit të monitorimit në përzgjedhjen e Kryeprokurorit të Shtetit, nga institucionet dhe mekanizmat ndërkombëtarë, por edhe shoqëria civile, nuk kalojnë tek institucioni i Presidentit të Shtetit!
Të gjithë ata të cilët provojnë të bëjnë interpretime lidhur me vendimin/njoftimin e Presidentes së Shtetit, shkëputur nga problemet e evidentuara gjatë procesit të përzgjedhjes së Kryeprokurorit janë të njëanshëm ose të verbër profesionalisht!
Presidentja e Shtetit si garantuese në funksionimin e institucioneve të shtetit, ka ushtruar kompetencat e saj në mbrojtje të integritetit dhe autoritetit funksional të Institucionit të Prokurorit të Shtetit, dhe çdo vendim/njoftim i cili do të legalizonte një proces me shkelje të tilla (të njohura tani), do të përbënte shkelje!
E pakuptueshme se si Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës, për situata të ngjashme dhe për pozitën e njëjtë, përdor standarde të dyfishta! Populli do të thoshte për dikë "nënë" e për dikë "njerkë"!