Mes shumë mesazheve që solli takimi i fundit në kuadër të Procesit të Berlinit, ishte që Kosova e Serbia t’i rikthehen dialogut për normalizim të marrëdhënieve edhe pas sulmit terrorist të 24 shtatorit.
Tek sa flitej për tensionet, rolin kryesor në diskutimet e Tiranës e patën lufta në Ukrainë dhe konflikti në Gaza.
Profesori universitar Arben Fetoshi, thotë se për shkak të këtyre tensioneve, bashkësia ndërkombëtare po e cilëson se tani është momentumi për marrëveshjen Kosovë – Serbi.
Njohësi i çështjeve politike Arbnor Sadiku thotë se zbërthimin se çfarë nënkuptohet me momentum, do ta bëjnë pesëshja e emisarëve që vijnë në Kosovë e Serbi më 21 tetor.
Për vizitën e emisarëve, ka folur edhe presidenti serb Aleksandar Vuciq, i cili tha se pret që pesëshja e zyrtarëve amerikane e evropian do të sjellin një plan, por që nuk ka dhënë detaje se për çfarë plani bëhet fjalë.