Deputeti i AAK-së, Bekë Berisha ka kritikuar Qeverinë Kurti në seancën e jashtëzakonshme sot të thirrur nga PDK për Rezolutën e Policisë së Kosovës, duke thënë se në qeveritë e kaluara orët shtesë të policëve janë paguar, ndërsa kjo qeveri i ka ndalë.
Sipas Berishës, pozita nuk është në Kuvend sot, sepse siç tha ai ata mendojnë se “edhe rrejnë, edhe mashtrojnë, edhe e marrin votën apet”.
Tutje ai ka thënë se pozita kanë hallin se i mbesin meritat opozitës lidhur me Rezolutën e Policisë.
“Kjo situatë e policisë do të ishte ndreq nëse do i kishim trajtu më mirë. Orët shtesë janë pagu ma përpara, prej që osht kjo Qeveri këto shtesa janë ndalë. Tash duhet me gjetë forma alternative. Rrezikshmëria osht obligim i shtetit, duhet me ua pagu policisë. Mujmë me bo një fond të posaçëm për policët. Pse nuk është pozita ktu, pse nuk përgjigjet Kryeministri e Ministri në pyetjet parlamentare. Se menojnë që edhe rrejnë, edhe mashtrojnë, edhe e marrin votën apet. Këta dojnë veç pushtet, s’ju intereson bash kërkush. Pozita e kanë kasavetin se s’dojnë që i lon meritë kërkujt, që mos t’ju jetë edhe opozitës që po bëjnë diçka”, tha Berisha.
Pikë e vetme e rendit të ditës sot është “Shqyrtimi i Propozim-Rezolutës për mbështetjen urgjente financiare të Policisë së Kosovës”, ku partia në pushtet ka bojkotuar seancën.
Në seancë sërish nuk janë të pranishëm deputetët e pushtetit, të cilët njëjtë si herën e kaluar bojkotuan seancën, ndërsa kanë thirrur konferencë për media në ora 11:00.