Pesë zyrtarë nga Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të vijnë të shtunën në Kosovë.
Të dërguarit e BE-së dhe SHBA-së, si dhe këshilltarët kryesorë të liderëve të Francës, Gjermanisë dhe Italisë, do të jenë të shtunën në Kosovë dhe Serbi.
Vizita në dy shtetet zhvillohet pas ngjarjeve të fundit që ndodhën në Banjskë, në veri të Kosovës.
Për vizitën e tyre dhe mesazhet që mund të sjellin ka folur deputeti i Alenacës për Ardhmërinë e Kosovës, Pal Lekaj.
Ai ka thënë se “përmbyllja e dialogut Kosovë-Serbi po duket që është prioritet i përfaqësuesve evropianë dhe ndërkombëtarë”.
Ai thotë se bota perëndimore vlerëson se dialogu duhet të ketë një epilog.
“Pas zhvilimeve të kohës së fundit në mes dy vendeve dhe ndryshimit të politikës ekspansioniste të Rusisë, bota perëndimore e ka vlerësuar që Dialogu duhet të ketë përfundimisht një Epilog”, tha Lekaj.
“Qëndrimi i tyre do të jetë që Kosova dhe Serbia të ulin tensionet, të kthehen në dialog dhe të pranojnë marrëveshjet që ju dedikohen palëve”.
“Ata do të përpiqen të përafrojnë kërkesat dhe pakënaqësitë në tavolinën e dialogut dhe ndoshta do të shkojnë në sistemin “merre ose leje””.
Ai thotë se përfaqësuesit diplomatikë do të bëjnë të qartë palëve që pa kompromise dhe vendime të prera e mëdha nuk zgjidhen problemet ndërshtetërore të trashëguara me dekada të tëra.
Lekaj tutje ka folur për dëmet e mëdha që Kosova ka marrë nga Serbia dhe për trjatimin e but që ndërkombëtarët ia kanë bërë Beogradit zyrtar.
“Duhet të pranojmë që çështja e Kosovës është temë e ndërlikuar, me humbje e dëme të mëdha të marra nga një agresor siç është Serbia, dhe e cila nuk po ndalon kursin e saj të pushtimit e shkatërrimit të Ballkanit”.
“Në anën tjetër kemi një Serbi e cila trajtohet butësisht nga bota demokratike pasi ajo ende po dirigjohet nga politikat shoviniste ruse dhe po mbetet bazë e Rusisë për Evropë”, tha ai.
Deputeti i Ramush Haradinajt ka deklaruar se ndërkombëtarët që do të vijnë në Kosovë dhe Serbi do tu sqarojnë dy shteteve që nuk kanë kohë për të humbur.
“Mos të harrojmë që ndërkombëtarët që do të vijnë në Kosovë dhe që do ta përkrahin Lajçakun nga afër tani e tuje, do tu sqarojnë dy shteteve që nuk kanë kohë për të humbur e sidomos besojë që do të japin vërejtje Serbisë e cila përveç që e rebeluar është bërë edhe e rrezikshme për sigurinë në shtetet e Ballkanit”.
Ai thotë se evropianët dhe amerikani do të kenë kërkesa specifike pë dy shtetet.
“Po, besoj që kërkesat specifike mund të lidhen me kufijtë, asociacionin e komunave serbe, çështjen e komunave me shumicë serbe si dhe çështjen e Medvegjës, Bujanocit dhe Preshevës”, tha Lekaj.
“Përfundimisht mendojë që të gjitha këto zhvillime kanë përgjigjen që Evropa por edhe SHBA-të po kanë dëshirë që sa më shpejtë të përfundojnë integrimin e plotë të shteteve ballkanike në BE, pasi me të vërtetë ka ndryshime në gjeopolitikën Ruse. E këto ndryshime mund të sjellin destabilitet, probleme e dëme të mëdha në Ballkani, Evropë dhe tek vetë bota demokratike të udhëhequra nga SHBA-të”.