Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, përmes një shkrimi në Facebook, ka propozuar krijimin e një Gjykatë Speciale për grupin terrorist serbë që mori pjesë në sulmin në Banjskë të Zveçanit me 24 shtator. Por, njohësit e çështjeve ligjore këtë kërkesë të Kurtit, e kanë vlerësuar si të pakuptimtë.
Me 26 shtator, u sollën në gjykatë.
Janë këta dy nga terroristët serbë, që të dielën e fundit të shtatorit morën pjesë në sulmin në Banjskë të Zveçanit.
Por, ndryshe nga këta, pjesëtarët e tjerë të këtij grupi, arritën të largohen për në Serbi.
Për ata që nuk ranë në duart e Policisë së Kosovës, dikush ka një propozim.
Është vet kryeministri i Kosovës, i cili propozoi krijimin e një Gjykatë Speciale, për atë që quajti si Klani i Novi Sadit.
“Kosova nuk ka juridiksion në Serbi. A nuk do të duhej që BE-ja dhe ShBA-të ta formojnë një Gjykatë Speciale për Klanin e Novi Sadit? Mafia ballkanike do të përjetonte goditje fatale, ndërkaq rajoni i Ballkanit do të hapej i tëri për demokraci evropiane, drejtësi ligjore, paqe të qëndrueshme dhe zhvillim të përshpejtuar”, ka deklaruar kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.
Por, kjo kërkesë e kryeministrit po cilësohet si e pakuptimit nga njohësit e çështjeve ligjore.
“Në aspektin juridik nuk ka ndonjë logjikë të veçantë dhe nuk kuptohet se çka ka dashtë me thanë kryeministri me këtë çështje. Me siguri ka dhënë ndonjë mesazh në konotacionin politik, por ne besojmë që në aspektin juridik e kemi të gjithë infrastrukturën ligjore dhe profesionale për ta trajtuar një rast të tillë, siç ka qenë ai i Banjskës, tipik rast terrorist”, është shprehur avokati, Yll Zekaj.
Avokati, Yll Zekaj, tregon se çfarë mund të behët në aspektin ligjor, që pjesëtarët e këtij grupi terrorist të sillen para drejtësisë.
“Në çdo rast kur identifikohen kryerësit nga ana e prokurorisë përmes hetimeve, mund të lëshohet një urdhër-arrest për t’i siguruar qasjen e të pandehurve në procedurë penale. Është problematike me Serbinë pasi Kosova nuk ka marrëveshje juridike ndërkombëtare dhe Serbia është një vend ku dihet që strehohen kriminelet e ndryshëm, por Kurti duhet të bëj të pamundurën së bashku me ministren e drejtësisë që t’i japin një shtytje politike që të kenë një presion ndërkombëtar për personat e identifikuar për kryerjen e kësaj vepre penale”, është shprehur Zekaj.
Ndërkohë i vetmi që përfundoi në duart e organeve të rendit në Serbi, ishte kreu i këtij grupi, Milan Radojqiq.
Por, sipas njoftimit të Gjykatës së Lartë në Beograd, pas vetëm 48 orëve edhe Radojqiq u la i lirë.