Osmani i përgjigjet ambasadorit rus dhe kryeministres serbe në OKB: Ky është dallimi mes Kosovës dhe Serbisë

Aktuale

Osmani i përgjigjet ambasadorit rus dhe kryeministres serbe në OKB: Ky është dallimi mes Kosovës dhe Serbisë

Më: 23 tetor 2023 Në ora: 22:09 Përditësuar në ora: 22:49 më 23.10.2023
Vjosa Osmani në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara

Shefja e UNMIK-ut në KS të OKB-së: Të paraqiten faktet dhe të mbahen përgjegjës autorët e sulmit në veri të Kosovës

Në seancën për Kosovën që Këshilli i Sigurimit të OKB-së e mban dy herë në vit, Përfaqësuesja Speciale e Sekretarit të Përgjithshëm (PSSP) Caroline Ziadeh theksoi nevojën urgjente për veprime të bashkërenduara dhe kompromis për të trajtuar mjedisin e përkeqësuar të sigurisë dhe për të siguruar paqen dhe stabilitetin në Kosovë.

Duke informuar mbi zhvillimet dhe sfidat e sigurisë e kohëve të fundit, PSSP Ziadeh theksoi rëndësinë kritike të angazhimit konstruktiv dhe masave de-përshkallëzuese.

Ajo përsëriti dënimin e UNMIK-ut për incidentin e rëndë të sigurisë që ndodhi në afërsi të fshatit Banjska/Banjskë të Zveçanit në Kosovën veriore më 24 shtator dhe humbjen tragjike të jetës, duke bërë thirrje për përmbajtje.

“Është thelbësore që hetimet që po zhvillohen aktualisht të ofrojnë mundësinë për të dokumentuar me fakte këto ngjarje dhe për t’i mbajtur autorët përgjegjës,” shtoi PSSP Ziadeh.

Duke vënë në dukje se takimi i nivelit të lartë më 14 shtator në Bruksel nuk prodhoi konsensus, kreu i UNMIK-ut tha: “Kjo ishte një mundësi e humbur për t’u angazhuar në mënyrë konstruktive drejt një programi për zbatimin e angazhimeve përkatëse të palëve sipas marrëveshjeve të arritura në Bruksel dhe Ohër në fillim të këtij viti”.

Ajo shprehu shpresën se rezultati i takimeve të udhëhequra nga BE-SHBA të mbajtura veçmas në Beograd dhe Prishtinë më 21 tetor do ta rikthejë dialogun në rrugën përpara, me angazhim të vendosur nga të dyja palët për të ndërmarrë hapa de-përshkallëzues dhe për të vepruar sipas propozimeve të paraqitura gjatë takimeve.

“Ngërçi aktual politik, me ndikimin e tij në sigurinë dhe mirëqenien e popullatës, mund të tejkalohet vetëm përmes kompromisit që duhet të arrihet në dialogun midis Beogradit dhe Prishtinës,” vuri në dukje PSSP Ziadeh.

Duke theksuar ndërlidhjet vitale në mes paqes dhe zhvillimit të qëndrueshëm, PSSP Ziadeh nënvizoi edhe rëndësinë e iniciativave për bashkëpunimit dhe integrim rajonal për dialog më produktiv.

PSSP Ziadeh theksoi nevojën për komunikim të qartë me publikun për çështjet që prekin jetesën e tyre dhe të drejtat e njeriut, duke kërkuar që puna e institucioneve të sundimit të ligjit të “ankorohet fort në kornizën e të drejtave të njeriut”.

Ajo përshëndeti zhvillimet e fundit legjislative, duke përfshirë miratimin e një ligji që rregullon procesin e aplikimit për statusin e të mbijetuarve të dhunës seksuale të lidhur me konfliktin, dhe vendimin e Gjykatës Kushtetuese për Konventën e të Drejtave të Njeriut për të Drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuara.

Duke reflektuar mbi 5 vjetorin e zbatimit të agjendës së UNMIK-ut për ndërtim të mirëbesimit, PSSP Ziadeh riafirmoi përkushtimin e palëkundur të UNMIK-ut për të nxitur komunikim dhe mirëkuptim në mes të njerëzve nga të gjitha komunitetet në Kosovë.

“Të bësh këtë ushqen terrenin për pranimin e kompromiseve të vështira por thelbësore të nevojshme për të arritur përparim në dialogun në nivel lidershipi,” tha kreu i UNMIK-ut.

Ajo lavdëroi qëndrueshmërinë e akterëve vendorë, përfshirë partnerët e UNMIK-ut, në përpjekjet e tyre të palodhura për të promovuar besimin dhe dialogun, duke theksuar, “Ne do të vazhdojmë punën tonë për ndërtimin e mirëbesimit, edhe pse shpesh dëgjojmë se ‘besimi është në nivelin më të ulët’ në këtë moment. Por nëse jo tani, atëherë kur?”

Në përfundim, PSSP Ziadeh përsëriti mbështetjen e UNMIK-ut për dialogun e lehtësuar nga BE-ja dhe theksoi imperativin për dialog gjithëpërfshirës dhe të qëndrueshëm për të arritur paqe dhe stabilitet të qëndrueshëm në Kosovë.

Dialogu është e vetmja rrugë përpara”, tha ajo.

Osmani: Ekziston vetëm një e vërtetë, Kosova ishte viktimë e agresionit të Serbisë

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani në fjalimin e saj në Këshillin e Sigurimit të OKB-së ka thënë se Kosova më 24 shtator ishte viktimë e agresionit nga Serbia.

Osmani ka thënë se sulmi terrorist në Banjskë ishte akt i pastër agresioni i Serbisë ndaj Kosovës.

“Është vetëm një e vërtetë. Kosova ishte viktimë e aktit të agresionit nga Serbia. Serbia po terrorizon serbët që jetojnë në Kosovë, për ta penguar integrimin e tyre. Serbia do territorin e Kosovës, të cilin s’do ta marrë kurrë. Kosova është palë konstruktive në dialog, e lista e moszbatimit të marrëveshjeve të Serbisë është shumë e gjatë. Duam zbatim të plotë e të shpejtë të gjitha marrëveshjeve të dakorduara në Bruksel në shkurt, dhe atë në mënyrë fer e të balancuar”, ka thënë Osmani.

Osmani ka thënë se Kosova kërkon përgjegjësi për sulmin, por Serbia vazhdon ta mohojë.

“Serbia tregoi më 24 shtator se dëshiron luftë, por s’do t’ia ofrojmë këtë. Demokracia e liria gjithmonë ngadhënjejnë. S’ka asgjë që mund t’i qëndrojë para një vendi që e do lirinë. Njerëzit e Kosovës kurrë s’do të heqin dorë nga liria e vetë”, ka thënë Osmani.

Osmani me kërkesa ndaj Këshillit të Sigurimit në OKB: Miratoni masa të rrepta ndaj Serbisë

Presidentja Vjosa Osmani ka folur në Këshillin e Sigurimit të OKB-së për agresionin e Serbisë në Banjskë të Zveçanit më 24 shtator.

Ajo ka dalë më një mori kërkesash për OKB-në që duhet të ndërmarrin ndaj Serbisë, në mesin e tyre edhe vendosjen e masave.

“Kërkojmë nga Këshilli i Sigurimit të OKB-së dhe kërkesa jonë është e qartë. Kosova ka nevojë për garanci substanciale në kuadër të kornizës euroatlantike që të ecim përpara duhet të përqendrohemi që Serbia të frenohet nga sulmet terroriste në Kosovë, dhe hetim e sulmit të fundit terrorist”.

“Për më tepër rritja e sigurisë në kufijtë e Kosovës me Serbinë, miratimi i masave të rrepta ndaj Serbisë siç kërkohet. Një rezolutë do të shënonte zotimin për të ruajtur paqen dhe sigurinë në tërë rajonin dhe në tërë kontinentin e Evropës, kjo do të thoshte se demokracia nuk është e heshtur përballë regjimeve autokratike”, ka thënë Osmani.

Bërnabiq në Këshill të Sigurimit akuzon Kosovën për spastrim etnik të serbëve

Kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq, ka pretenduar se prej që ka ardhur në pushtet kryeministri Albin Kurti, 11 për qind e serbëve të Kosovës e kanë braktisur vendin.

Sipas saj kjo ka ndodhur si pasojë e "fushatës sistematike dhe të dhunës ndaj serbëve", që ajo ka thënë se ushtrohet nga institucionet e Kosovës.

Bërnabiq në seancën e Këshillit të Sigurimit të OKB-së ku po diskutohet për Kosovën e ka akuzuar Prishtinën për fushatë të spastrimit etnik të serbëve.

“Situata në dy vitet e fundit, sidomos në 12 muajt e fundit është bërë aq e rëndë sa që ne të gjithë duhet të përpiqemi ta kuptojmë jo si politikanë, por si qenie njerëzore se çfarë po ndodhë”, është shprehur Bërnabiq, derisa Kosovës i është referuar si “krahinë autonome e Republikë së Serbisë”.

Ajo ka thënë se zyrtarët në Prishtinë, kanë vetëm tri mesazhe kyçe për serbët dhe bashkësinë ndërkombëtare.

Mesazhi i parë që institucionet e Kosovës kanë për serbët që janë larguar nga Kosova, sipas Bërnabiqit, është “mos u ktheni sepse nuk jeni të mirëpritur”.

“Mesazhi i parë – ata serb që janë larguar pas vitit 1999 dhe gjatë spastrimit etnik në vitin 2004 nuk duhet të kthehen më, nuk janë të mirëpritur, është thellësisht shqetësuese”, është shprehur Bërnabiq, duke shtuar se Kosova ka regjistruar shifrën më të ultë të personave të kthyer.

Sipas saj ata që kthehen arrestohen e përndiqen nga organet e shtetit të Kosovës.

Mesazhi i dytë që sipas Bërnabiqit, u dërgohet serbëve në ”mënyrën më brutale”, është “që ata që kanë mbetur aty, që vazhdojnë të qëndrojnë në territorin e Kosovës e Metohisë, duhet të largohen”.

Sipas saj serbëve në Kosovë u mohohen të drejtat elementare dhe jetojnë me frikën se "kur do të arrestohet e torturohen nëpër burgje". Madje sipas saj, ata frikësohen edhe nga vrasja.

“Në Kosovën e sotme të jesh serb, mund të arrestohesh në mënyrë arbitrare, të akuzohesh e të mbahesh në paraburgim, për aq sa dëshirojnë politikanët e tyre dhe kjo ndodh në prani të KFOR-it, UNMIK-ut dhe EULEX-it”, është shprehur Bërnabiq, duke pyetur se a mund ta imagjinohet se si do të ishte jeta për serbët nëse ajo do të qeverisej vetëm nga institucionet e Kosovës e pa ndërkombëtarët.

Mesazhi i tretë që sipas saj dërgon Prishtina zyrtare është se marrëveshjet e arritura në kuadër të dialogut me Serbinë nuk do të zbatohen.

“Ato marrëveshje ose pjesë të marrëveshjeve që në fakt janë implementuar do të anulohen, bllokohen ose çmontohen ... kjo duhet të ndryshojë, është momenti i fundit që të themelohet Asociacioni i komunave me shumicë serbe”, ka theksuar Bërnabiq.

Ajo ka folur edhe sulmin terrorit të një grupi të armatosur të serbëve ndaj Policisë së Kosovës, në Banjskë të Zveçanit, ku mbeti i vrarë reshteti i Policisë së Kosovës Afrim Bunjaku.

“Ka ndodhur një konflikt i armatosur midis një grupi të armatosur të serbëve nga Kosova, Policisë dhe formacioneve paramilitare në Banjskë, hetimet janë në vazhdimësi për të hedhur dritë mbi të gjitha paqartësisë, përfshirë edhe mënyrën në të cilën dy nga tre serbët që kanë humbur jetën e tyre, që duket të jetë ekzekutim gjakëtoftë pasi që janë dorëzuar”, është shprehur Bërnabiq.

Ajo ka thënë se Serbia dhe organet e sigurisë në Serbinë nuk kanë qenë të përfshirë në këtë rast.

Sipas Bërnabiqit ngjarja në Bansjkë është pasojë logjike e “terrorit që Prishtina ka vazhduar ta ushtrojë ndaj serbëve, përkundër thirrjeve për deeskalim”.

Brnabiq mundohet ua hedh fajin serbëve në veri: Serbia s’ka qenë e përfshirë në Banjskë

Kryeministrja e Serbisë, Ana Brnabiq duke ua lënë fajin për sulmin terroristë të 24 shtatorit, ku mbeti i vrarë një polic i Kosovës, tha se Serbia nuk ka qenë e përfshirë në Banjskë dhe janë të gatshëm të ofrojnë argumente për këtë.

Ajo në Këshillin e Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, ka akuzuar Qeverinë e Kosovës se mesazhi për serbët, ndërkombëtarët është se marrëveshjet e arritura nuk do të zbatohen, ato marrëveshje që janë zbatuar do të bllokohen.

Sipas saj, kriza në Kosovë, tragjikisht ka esklauar më 24 shtator në mes një grupi të serbëve të armatosur dhe policisë së Kosovës.

“Hetimet janë në vazhdim e sipër për të hedhur dritë mbi të gjitha paqartësitë e këtij rasti”, tha ajo.

Brnabiq ka dhënë shembuj me pretendimin se po shkelen të drejtat e serbëve në Kosovë.

Osmani: Serbia po mundohet që agresorin ta shndërrojë në viktimë

Në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara po diskutohen raporti për Kosovën.

Temë kryesore e diskutimit është edhe agresioni i Serbisë në Banjska të Zveçanit.

Si pasojë e sulmit terrorist nga një grup i armatosur serbë u vra polici Afrim Bunjaku.

Në këtë mbledhje, Kosova u përfaqësua nga presidentja Vjosa Osmani.

Në fjalimin e saj, ajo tha se Serbia po përpiqet që agresorin ta shndërrojë në viktimë.

“Sot ajo se çka kemi dëgjuar nga Serbia është zgjatje e përpjekjeve për ta nxitur këtë aktin e agresionit”, tha Osmani.

Ajo theksoi se Serbia ka dashur ta shohë Kosovën sikur Krimenë, por që nuk ia ka arritur qëllimit.

“U zu në befasi për shkak të përkushtimit të policisë së Kosovës. Në ditën e sulmit institucionet e Kosovës kanë mbajtur kontakte me praninë ndërkombëtare ashtu siç ka qenë historikisht. Do të vazhdojmë që të bashkëpunojmë me aleatët tanë që t’i kundërvihemi akteve të tilla dhe që t’i parandalojmë që ato të mos ndodhin më”, tha ajo.

E para e shtetit të Kosovës shtoi se këto grupe terroriste dhe paramilitare janë financuar, trajnuar, armatosur dhe strehuar nga një burim, e që është Serbia.

Osmani:Jemi ngritur nga zeroja për të ndërtuar jetën pa frikë e diskriminim

Fjalimin në KS të OKB-së, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, Sadriu e filloi me të mbijetuarit e luftës në Kosovë, sidomos për viktimat e mijërave të dhunuarve  gjatë luftës.

Viktimat e dhunës seksuale, sipas saj, zgjodhën jo vetëm të mbijetojnë, por edhe të përpiqen të jetojnë. Kjo është historia e Kosovës.

Ajo ju drejtuar KS të OKB-së si një presidente e një vendi që ka humbur 13000 njerëz gjatë luftës në Kosovë, shumë të zhdukur dhe me vrasjen e fëmijëve që, në kokë banori, është më së shumti në çdo luftë në ish-Jugosllavi.

“Ne jemi ngritur nga zeroja për të ndërtuar jetën tonë, për ta ndërtuar një të ardhme ku të gjithë njerëzit, pavarësisht etninë e tyre, mund të jetojnë pa frikë, pa diskriminim.

Presidentja Vjosa Osmani e përmend heroin Afrim Bunjaku në Këshillin e Sigurimit të OKB-së

Presidentja Vjosa Osmani në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit të OKB-së e ka përmendur vrasjen e oficerit të Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku, më 24 shtator nga grupi i serbëve që kryen agresion në Banjskë të Zveçanit.

Ajo tha se i ndjeri Afrim Bunjaku e humbi jetën duke mbrojtur integritetin territorial të Kosovës.

Bërnabiqi pretendon se në Kosovë serbët arrestohen posa kërkojnë të rikthehen në pronat e tyre

Kryeministrja serbe, Ana Bërnabiq, në seancën për Kosovën në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, ka folur për dhunën e pretenduar ndaj serbëve nga autoritetet e Republikës së Kosovës.

Në fjalën e saj, ajo tha se “veçanërisht 12 muajt e fundit janë bërë aq të rëndë” për serbët në Kosovë.

“Nga Prishtina kemi disa mesazhe: ata serbë që janë larguar nga 1999 apo nga pogromi 2004 nuk duhet të kthehen më, nuk duhet të kthehen. Është fatkeqe që Kosova mbetet, sipas të gjitha raporteve të OKB-së, me numrin më të vogël të të kthyerve të personave të zhvendosur nga territore post-konflikti. Më pak se 2 për qind janë të kthyer në Kosovë. Dhe kjo nuk është aksidentale. Kur kthehen, zakonisht i gjejnë pronat e tyre të uzurpuara, dhe pastaj shkojnë te autoritetet për të raportuar, në kërkim të drejtësisë, shumicën e rasteve ata arrestohen dhe përfundojnë në burg”, pretendoi Bërnabiqi.

Ajo përmendi emra serbësh që thotë se u arrestuan për krime lufte, duke thënë se ata u arrestuan vetëm pse kishin kërkuar të ktheheshin në Kosovë, ani se të njëjtit, sipas saj, kanë hyrë e dalë nga Kosova shumë herë më parë.

Bërnabiqi përmendi edhe raste tjera të pretenduara të dhunës ndaj serbëve në Kosovë, duke akuzuar “terrorin e Albin Kurtit”.

Sipas saj, Kosova nuk është e interesuar të zbatojë marrëveshjet e Brukselit, ndër to, as atë të Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Nis takimi i KS i OKB-së, Osmani përfaqëson Kosovën

Nisi takimi i Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara për Kosovën. Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, përfaqëson Republikën e Kosovës në Këshillin e Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, lidhur me raportimin periodik për zhvillimet në Kosovë.

Fjalën e para e mori Shefja e misionit të tejkaluar të UNMIK-ut në Kosovë, Caroline Ziadeh, e cila tha se situata n veri të Kosovës është serioze, sidomos pas sulmit në Bansjkë të Zveçanit, më 24 shtator.

Ajo mes tjerash tha se pati shkëmbime zjarri mes Policisë së Kosovës dhe grupit të armatosur, ku për pasojë u vranë katër veta, një pjesëtar i Policisë së Kosovës dhe tre të tjerë.

Sipas saj gjendja e sigurisë në veri të Kosovës që nga 24 shtatori është ngritur në mënyrë të qëndrueshme.

Masat de-eskaluese, sipas saj, janë kritike për të ulur tensionet dhe në këtë drejtim, derisa shfaqi shpresën se me ndërmjetësimin e faktorëve ndërkombëtarë dialogu do të marrë rrugëtimin të drejt.

“Nuk ka zhvillim të qëndrueshëm pa paqe dhe nuk ka paqe pa zhvillim të qëndrueshëm”, deklaroi ajo, derisa shtoi se bashkëpunimi rajonal dhe iniciativa të integrimit në të gjitha reformat duhet të jenë të mirëpritura.

Kurse, kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq, në KS të OKB-së tha se situata në Kosovë është mjaftë e rëndë, sidomos në dy vjetët e fundit.

Ajo vuri theksin në vitin e fundit ku, sikundër u shpreh ajo, "situata është bërë aq e rëndë sa duhet bërë përpjekje për ta kuptuar jo vetëm si politikanë, por si qenie njerëzore".

“Ku të shkojmë nga këtu, së paku për të siguruar një grimë shprese për ata që jetojnë në Kosovë, së paku një grimë shprese që stabiliteti e paqja afatgjate janë në fakt të mundshme”, deklaroi Bërnabiq.

Ajo më tutje foli për kthimin e serbëve në Kosovë, që, sipas saj, janë kthyer më pak se 2 për qind  të serbëve.

Bërnabiq kërkoi që të zbatohet marrëveshja për Asociacionin e Komunave me shumicë Serbe, deri sa mohoi për ndërlidhjen e ngjarjes së Banjskës me qeverinë serbe.

Në këtë takim të Këshillit të Sigurimit, presidentja Osmani flet për zhvillimet politike dhe të sigurisë në Kosovë, pas sulmit terrorist dhe aktit të agresionit të Serbisë ndaj Kosovës, më 24 shtator, njofton Presidenca.

Bëhet e ditur se, Osmani thuhet se do të flasë edhe për përkushtimin e institucioneve të Republikës për paqe, siguri dhe stabilitet afatgjatë në rajon, si dhe për bashkëpunimin e ngushtë me aleatë e partnerë të Kosovës.

Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara, sonte, do të diskutojë raportin e ri gjashtëmujor për situatën në Kosovë. Raporti përfshinë periudhën nga 19 marsi deri më 18 shtator 2023.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat