Eksperti i sigurisë në Kosovë, Bedri Elezi, tha se ka informacione se Serbia po i trajnon 150 deri në 200 veta duke i angazhuar me pagesë prej 5 mijë eurove për pjesëmarrje në sulm terrorit në Kosovë.
Ai tha se trajnimi është duke u zhvilluar në një vend të quajtur Lukovo në Serbi, i cili sipas Elezit është vend rural dhe i përshtatshëm për ta kamufluar zhvillimin e tyre.
“Ekziston rreziku i përgatitjes së një sulmi dhe dyshohet se një zonë përdorët për trajnimin e 150 deri 200 vetave në Lukovo dhe janë angazhuar me pagesë. Gjithnjë besohet se deri 5 mijë euro paguhen për pjesëmarrje për t’i mbrojtur serbët lokal. Pagesat bëhen nga shërbimi sekret BIA nga programet speciale të tyre. Lukovo është zonë turistike dhe teren i përshtatshëm për të kamufluar zhvillimet e tyre dhe zonë e cila ka kapacitete rurale për të mbuluar aktivitete e tyre që mos të shënjestrohen nga struktura të ndryshme të sigurisë dhe të vihet para përgjegjësisë Serbia”, tha Elezi.
Elezi dha dy arsye pse sipas tij ekziston rreziku i përgatitjes së një sulmi të ri terrorist në Kosovë.
“Një: Në rastin e sulmit të 4 shtatorit, një numër i madh i njerëzve që morën pjesë aty janë të lirë dhe janë larguar.
Dhe dy: Milan Radoiçiq si udhëheqës i këtij grupi sulmues në Republikën e Kosovës e mori përgjegjësinë për realizimin e këtij sulmi dhe i njëjti është i lirë dhe akoma nuk është në kërkim ndërkombëtar për ta vendosur para drejtësisë për një sulm terrorist. Janë publikuar pamjet e kësaj ngjarje dhe akoma ka hezitim të vendosjes së drejtësisë. Sulmi ishte i pranuar nga shtetet më të fuqishme në botë si sulm terrorist dhe i konfirmuar nga provat, janë siguruar me dronë gjatë sulmit dhe akoma kemi një lloj hezitimi për ta vendosur para përgjegjësisë Radoiçiqin”, deklaroi Elezi.