Osmani takon Guverantoren e Iowa-s: Autorët e sulmit në Banjskë të vihen para përgjegjësisë

Aktuale

Osmani takon Guverantoren e Iowa-s: Autorët e sulmit në Banjskë të vihen para përgjegjësisë

Më: 25 tetor 2023 Në ora: 07:21
Foto nga takimi

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, është pritur me ceremoni zyrtare nga Guverantorja e Iowa-s, Kim Reynolds.

Presidentja Osmani, theksoi se Kosova nuk ka aleate e mike më të mirë se Shtetet e Bashkuara të Amerikës, me të cilën sipas saj ndajnë vlerat e njëjta të demokracisë, të drejtave të njeriut dhe bashkëpunimit ndërkombëtarë.

Në një adresim para të pranishmëve, Osmani tha se nënshkrimi kohë më parë i Programit të Partneritetit Shtetëror të Iowa-s, përbën një element thelbësor të marrëdhënieve strategjike me Shtetet e Bashkuara.

Më tej, presidentja Osmani shtroi nevojën e ndihmës substanciale ekonomike dhe programet e zhvillimit të iniciuara nga Shtetet e Bashkuara për ta mbështetur rritjen dhe stabilitetin ekonomik të Kosovës.

Në takim me guvernatoren Reynolds u diskutua për shkëmbime të mëtejshme studentore, bursa dhe bashkëpunime akademike ndërmjet universiteteve të Kosovës dhe Iowa-s, duke përfshirë shkëmbimin në fakultete, projekteve të përbashkëta kërkimore dhe iniciativave për ngritjen e kapaciteteve në arsim.

U diskutua për mundësinë e shkëmbimit të njohurive, transferimin e teknologjisë bujqësore dhe bashkëpunimin në praktikat e qëndrueshme bujqësore, ku në kuadër të këtij bashkëpunimi do të përmirësohen edhe më tej lidhjet ekonomike me shtetin e Iowas. Me qëllim që të përforcohet ky bashkëpunim, pjesë e delegacionit të Presidentes është edhe Ministri i Bujqësisë, Faton Peci.

Presidentja Osmani ndër të tjera, e njoftoi Guvernatoren lidhur me zhvillimet e fundit në Kosovë, pas aktit të agresionit që Serbia kreu në Republikën e Kosovës më 24 shtator, raporton KosovaPress.

Sipas presidentes Osmani, Kosova do të vazhdojë bashkëpunimin me aleatë, ndërkohë që autorët e sulmit terrorist dhe aktit të agresionit ndaj Republikës së Kosovës të kryer më 24 shtator duhet të vihen para përgjegjësisë.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat