Isak Shabani deputet i Partisë Demokratike të Kosovës ka thënë se Qeveria e Republikës së Kosovës duhet të ketë qasje seriozë ne dialogun me Serbinë, pasi në të kundërtën ai tha se shteti i Kosovës mund të pësojë nga kjo.
Shabani madje tha se tanimë Kosova e ka rastin të shfrytëzojë edhe sulmin e 24 shtatorit në Banjskë të Zveçanit në raport me dialogun.
“Qasja e deritashme në dialog e Qeverisë së Kosovës nuk ka qenë e mirë, prandaj ka rrezikshmëri që edhe më pësu nëse sot nuk kemi qasje serioze në dialog me Serbinë. Këtë po e them se duhet shfrytëzuar së pari situatën që pas 24 shtatorit, mendoj që është një situatë tjetër mbi të gjitha. Jam i bindur që edhe gjermanët, amerikanët, dhe anglezët e francezët e dinë se çka është Serbia mirëpo opinion publik për herë të parë u njoftu se çfarë organizimi ka pasë në sulm kundër sovranitetit të Kosovës. Kështu që është rasti që qeverisja të ketë një qasje të mirë”, tha Shabani.
Kurse sa i përket kushtëzimeve të kryeministrit Albin Kurti në dialogun me Serbinë, deputeti i PDK-së, theksoi se me kushtëzimet e Kurtit, Kosova do të mbesë gjithmonë në situatë të menaxhimit të krizave.
“Besoj dhe jam i bindur që nëse vazhdon me kushëtzime të tilla ne kemi me mbet gjithmonë duke menaxhuar krizat. Ne e kemi qëllimin të përfundojmë njëherë e mirë dialogun dhe marrëveshjen përfundimtare me njohje të ndërsjellë, po ne tash po merremi sidomos me menaxhimin e krizave. Nëse ky rast i është dhënë Qeverisë së Kosovës po them që ka mundësi mu orientu në kontekstin pozitiv për të mirën e Kosovës”, theksoi Shabani.
Kjo pasi sipas tij, Kosova është gabim të kushtëzojë Bashkimin Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës pasi siç tha Shabani, “këta aleatë ia kanë dashte të mirën Kosovës”.
“Mendoj që është gabim, se nuk mundesh me kushtëzu një Bashkim Evropian dhe Amerikën. Është një moment që gjatë historisë është dëshmu që kemi pasë aleatë, këta aleatë ia kanë dashte të mirën Kosovës . Po të mos ishin këta duke mos anashkaluar normal dëshmorët e kombit, invalid veteran e popullin shqiptar për kontributin, mirëpo duhet të ulemi të bashkëbisedojmë”, shtoi ai.
Ndryshe, një ditë para takimit në Bruksel, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha të martën se “padyshim se nuk do të ketë dialog” nëse Serbia nuk dënohet dhe sanksionohet për “farë ka bërë”, duke iu referuar sulmit të 24 shtatorit në veri të Kosovës.
Të enjten, Kurti dhe presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq, do të qëndrojnë në Bruksel me ftesë të Bashkimit Evropian.
Atje, ata pritet t’i takojnë veç e veç edhe presidentin e Francës, Emmanuel Macron, kryeministren e Italisë, Giorgia Meloni, kancelarin e Gjermanisë, Olaf Scholz, dhe shefin e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell.