Minatori i Trepçës, njëri prej grevistëve, ka thënë se nuk do ta ndalin grevën deri derisa të plotësohen të gjitha kërkesat që ata i konsiderojnë minimale, por shumë të rëndësishme për ta.
“Se sa do të qëndrojmë këtu varet prej kërkesave sesi do të realizohen, sa më shpejt që realizohen më shpejt përfundon greva, nëse vazhdojnë të mos realizohen minatorët do të qëndrojnë në grevë”, ka thënë ai.
Gjithashtu, ai i emocionuar e me lot në sy ka shprehur shqetësimin e tij se pse kërkesat e tyre nuk janë realizuar në një kohë të shkurtër.
Ai ka theksuar se stafi udhëheqës i minierës dhe institucionet e Kosovës duhet të merren me kërkesat e tyre dhe të kuptojnë se çfarë do të thotë të jesh minator në kushte të vështira.
“Asnjë familjarë tek shtëpia nuk është në gjendje të mirë, çfarë po mendo0jnë udhëheqësit tanë, unë nuk vij këtu të punoj vetëm për vete për këta shok e dha jetën për ta, unë e di se çfarë pune bëjnë, pse mos të vijnë këtu të japin një përkrahje morale, nuk është paga asgjë, duhet me vlerësu minatorin, nuk mund të bëhet gjithkush minatorë. Derisa të realizohen kërkesat tona minatorët nuk do ta dalin nga miniera, sepse janë kërkesa të arsyeshme”, është shprehur ai.
Ai ka shprehur edhe shqetësimin për familjet e minatorëve, të cilat nuk janë në gjendje të mirë, derisa ka kërkuar përkrahje morale të udhëheqësve.
Gjithashtu, minatori ka treguar se ai është pjesë e një greve të mëparshme në vitin 1989, por situata aktuale tash është edhe më e rëndë.
“Unë jam punësuar në vitin 1985 domethënë qe 33 vite jam minatorë në Trepçë. Unë jam pjesë e grevës të vitit 1989 por këso gjendje në këtë kohë tonën në këtë demokraci të jetë kjo gjendje kështu nuk e kam menduar kurrë kështu. Ne minatorët e Trepçës nuk e kemi gëzu asnjë të drejtë pa bërë protestë pa u ndal prej pune ose pa bërë grevë”, ka thënë ai.